Kuvendi i Kosovës - Arkiv

Krenare Sogojeva-Dërmaku zgjidhet komisionere e Agjencisë për Informim dhe Privatësi

Me 65 vota për, Kuvendi i Kosovës ka zgjedhur Krenare Sogojeva-Dërmakun komisionere të Agjencisë për Informim dhe Privatësi me mandat pesëvjeçar.

Një votë ka qenë e pavlefshme.

Kandidati tjetër, Enver Bujari ka marrë pesë vota, përdërisa Edona Miftari ka marrë një votë. Në votim kanë marrë pjesë 72 deputetë.

Votimin e bojkotuan Lidhja Demokratike e Kosovës, Partia Demokratike e Kosovës si dhe Alenaca për Ardhmërinë e Kosovës.

Votimi ka qenë i fshehtë.

Për dallim nga Enver Bujari, Krenare Sogojeva Dërmaku dy herë ishte vlerësuar nga britanikët si kandidate që i plotëson kushtet për t’u emëruar në këtë pozitë.

Sogojeva-Dërmaku aktualisht është drejtoreshë e departamentit ligjor në Ministrinë e Mbrojtjes.

Krenare Sogojeva Dërmaku, në konkursin e dytë të mbajtur në korrik të vitit 2019, nga BDO-ja ishte vlerësuar si kandidatja e vetme e emërueshme për pozitën e komisionerit të Agjencisë për Informim dhe Privatësi.

Ndërsa në listën prej tre kandidatëve potencial për këtë pozitë edhe Komisioni për Siguri, Krenare Sogojeva Dërmakun e kishte vendosur në krye të kësaj liste.

Mirëpo më pastaj lista me tre emrat e rekomanduar për votim, nuk kishte arritur t’i marrë votat e mjaftueshme në kuvend dhe procesi ishte kthyer në pikën zero.

Edhe në herën e tretë të përsëritjes së konkursit, Sogojeva Dërmaku nga BDO ishte vlerësuar me pikët më të larta, ndërsa nga Komisioni për Siguri kishte qenë e dyta në rend nga kandidatët më të votuar për të kryesuar Agjencinë për Informim dhe Privatësi.

Por që as kësaj radhe asnjë nga kandidatët e rekomanduar nuk kishte arritur t’i merrte votat e mjaftueshme në Kuvend.

Pasi që për të tretën herë kishte dështuar përzgjedhja e Komisionerit, BDO kishte vendosur të tërhiqej nga ky proces.Kurse në herën e katërt të përsëritjes së konkursit, Krenare Sogojeva Dërmaku, përsëri ka arritur që të jetë në listën e ngushtë dhe në mesin e emrave të rekomanduar për emërim në krye të Agjencisë për Informim dhe Privatësi.

Kësaj here, Sogojeva Dërmaku është e dyta në listë, pas Enver Bujarit me vota ndërsa i treti në listë është renditur kandidati Edon Myftari.

Pika e nëntë e rendit të ditës do të vazhdojë në një seancë tjetër.