Pajisje ushtarake ruse të shkatërruara në Donbas. Foto:GeneralStaff.ua/ Facebook

Kremlini thotë se nuk ka plane për shpalljen e mobilizimit të përgjithshëm

Kremlini thotë se nuk ka plane për shpalljen e mobilizimit të përgjithshëm apo të pjesshëm, teksa pushtimi i paprovokuar rus i Ukrainës po vazhdon.

Këto komente nga Kremlini vijnë pasi trupat ruse kanë pësuar humbje të mëdha dhe kanë humbur territor në rajonin e Harkivit, gjatë kundërofensivës ukrainase.

“Në këtë pikë, jo, nuk ka asnjë diskutim për këtë çështje”, tha Peskov më 13 shtator kur u pyet nga gazetarët për mundësinë e shpalljes së mobilizimit.

Peskov po ashtu tha se çdo kritikë ndaj zyrtarëve ushtarakë rusë lidhur me sukseset e fundit të Ukrainës në fushëbetejën në rajonin e Harkivit, mund të bëhen “vetëm në bazë të legjislacionit aktual”.

“Vija ndarëse në këtë temë është shumë e hollë. Duhet të jeni të kujdesshëm [kur kritikoni udhëheqjen ushtarake ruse]”, paralajmëroi Peskov, duke iu referuar një ligji të miratuar në mars – disa ditë pas nisjes së pushtimit të Ukrainës – që e njeh si vepër penale çdo kritikë ndaj pushtimit.

Një ditë më herët, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha se forcat e armatosura ukrainase kanë rimarrë 6.000 kilometra katrorë territor nga Rusia në kundërofensivën që kanë nisur në fillim të muajit.

Rusia nisi pushtimin e paprovokuar të Ukrainës më 24 shkurt dhe këtë pushtim në shkallë të gjerë e cilëson si “operacion të posaçëm ushtarak”./REL