"Krejt dhe Drejt", slogani i Vetëvendosjes për zgjedhjet e 14 shkurtit

“Krejt dhe Drejt” është slogani që do të jetë pjesë e rrugëtimit të Lëvizjes Vetëvendosje dhe iniciativës së Vjosa Osmanit në zgjedhjet e parakohshme të 14 shkurtit.

Kjo është bërë e ditur nga Albin Kurti dhe Vjosa Osmani, të cilët e kanë publikuar sloganin në profilet e tyre në Facebook.

“Krejt, sepse fryma mobilizuese është me shumicën, sepse ata e bëjnë dallimin! Krejt, sepse vetëm shumica mund t’i bëjë ndryshimet Krejt, sepse sa herë që jemi bërë bashkë, kemi dalë fitues. Drejt, sepse vetëm në këtë mënyrë e krijojmë diferencën. Drejt, sepse vetëm me drejtësi garantohet përfaqësimi i barabartë qytetar. Drejt, sepse i drejti gjithmonë del fitues”, ka shkruar Vjosa Osmani.

Fotografia është postuar edhe nga kandidati për kryeministër, Albin Kurti, duke thënë se “referendumi që do ta kthejë Kosovën kah e mbara, nuk mund të ndalet”.

Kurti është në mesin e 47 kandidatëve për deputetë që iu ndalohet kandidimi në zgjedhjet e 14 shkurtit, pas problemit me ligjin.

Ai sot tha se nuk është në dijeni për asnjë vendim të KQZ-së.

Më 3 janar 2018, deputetët e atëhershëm të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, Albulena Haxhiu, Faton Topalli dhe Donika Kadaj-Bujupi janë dënuar me kusht për hedhjen e gazit lotsjellës në ambientet e Kuvendit të Kosovës.

Në shtator të po atij viti, Gjykata e Apelit i ka vërtetuar dënimet e shqiptuara nga gjykata e shkallës së parë.

Kushtetuesja e ka rrëzuar Qeverinë Hoti duke thënë se një person i dënuar për vepër penale me një vendim gjyqësor të formës së prerë në tre vjetët e fundit, “nuk mund të jetë kandidat për deputet e as të ketë mandat të vlefshëm në Kuvendin e Kosovës”.