Krejt çka ndodhi nga 20 shtatori, deri në largimin e barrikadave në Jarinjë e Bërnjak

 

 

Me shumë zhurmë, tensione të ngritura nga protestuesit e me thirrje ”Serbia”, janë tërhequr sot Njësitë Speciale nga afërsia e dy pikave kufitare Jarinjë e Bërnjak.

Më shumë se një tentim i tërheqjes u pa në Jarinjë e Bërnjak për shkak se nuk po përmbushej marrëveshja ashtu siç ishte nënshkruar.

Pas 13 ditë bllokadë në pikat kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak me një marrëveshje të arritur Bruksel mes Kosovës dhe Serbisë, sot gjatë ditë është bërë largimi i Njësive Speciale të Policisë së Kosovës dhe lirimi i rrugëve nga barrikadat e protestuesve që u vunë pas vendimit të Ministrisë së Punëve të Brendshme për reciprocitet me tabela të makinave.

Si nisi reciprociteti?

Orët e hershme të 20 shtatorit Njësitë Speciale të Policisë se Kosovës ishin vendosur rreth një kilometër larg pikës kufitare Jarinjë.

Informacionet ishin se me vendimin e Qeverisë së Kosovës për vendosjen e reciprocitetit të tabelave të automjeteve, do të ndodhte ajo çka ndodhi menjëherë pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, djegia e pikave kufitare nga ana e qytetarëve serb të cilët në këtë mënyrë shprehën pakënaqësinë e tyre në atë kohë për një shtet të ri.

Në një formë kjo u parandalua për shkak se policia mori pikën në kontrollë para nisjes së vendosjes së tabelave të para të përkohshme për veturat që hynin nga Serbia në Kosovë.

Të hënën e 20 shtatorit rreth orës 8:20 të mëngjesit qytetarë të shumtë serb me makineri të rënda e automjete private bllokuan në total qarkullimin e lirë të veturave për shkak të vendimit të qeverise.

“Jemi punëtorë, po presim edhe të tjerë që të vazhdojmë tutje”, ishin fjalët që qytetarët serb i kishin thënë policisë dhe vetëm pak minuta më pas kishin dalë nga automjetet dhe nuk i larguan për 13 ditë.

Dita kaloi ndërsa në mbrëmje protestues të shumtë mblidheshin e rruga bllokohej edhe më tej.

Më shumë se 3 kilometra përshkonin barrikadat e qytetarëve serb të cilën i kishin ndarë në gjashtë pika përgjatë rrugës me rreth 70 makineri të rënda e dhjetëra makina të tjera private.

Ministri Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se lidhur me operacionin e sotëm në veri të vendit institucionet e Kosovës kanë pasur bashkëbisedim dhe koordinim me aleatët.

“Në vazhdimësi sa i përket situatës së sigurisë ne i angazhojmë kapacitetet tona si shtet dhe bashkëbisedojmë dhe koordinohemi me aleatët. Edhe për këtë rast, ata kanë qenë të njoftuar. Mos të harrojmë, zëvendëskryeministri Bislimi më 9 shtator e ka paralajmëruar këtë veprim”, tha ministri Sveçla në një konferencë për media kushtuar aksionit të sotëm të ndërmarrë në pikat kufitare të Kosovës, ku po zbatohet reciprociteti sa u përket targave të automjeteve.

Ministri ka shpjeguar se MPB me qëllim të mundësimit të lëvizjes së lirë dhe pas skadimit të marrëveshjes së 14 shtatorit 2016 ka nxjerrë vendim që obligon të pajisen me targa të përkohshme të gjitha automjetet që mbajnë targa të Serbisë dhe që hynë në territorin e Republikës së Kosovës në të gjitha pikat kufitare.

Ditët e para situata ishte e qetë ani se tensione në aspektin politik kishte ‘mjaftueshëm’.

Qytetarët protestues kishin vendosur banerë e pano me mbishkrime në gjuhën serbe.

Në një nga këta banerë shkruhej “Mirë se vini në Bashkësinë e Komunave Serbe”.

Përderisa në një tjetër të vendosur në njërin nga kamionët e mëdhenj që ka bllokuar rrugën, u shpreh përkrahja e protestuesve serb nga veriu edhe nga qytetarët serb të qendrës dhe jugut të Kosovës.

Në njërën nga panot ishin shkruar edhe emrat e dy komunave Graçanicës dhe Shtërpcës, të cilat në mes e kishin të vendosur një logo që kohë më parë është lansuar si stemë identifikuese për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.

Protestuesit serb vazhdimisht po furnizoheshin me ushqim e me drunj.

Ata për 13 ditë vendosën tenda në formë shtëpize e pranë tyre gjatë natës ndiznin zjarre për t`u ngrohur.

Njësitet policore të Republikës së Kosovës, po kujdeseshin të sigurojnë situatën, ndonëse në disa raste, siç ka raportuar ekipi i KALLXO.com që ka qëndruar vazhdimisht në atë zonë, janë provokuar verbalisht nga banorët e tubuar në disa pjesë të rrugëve kryesore që shpiejnë në dy pikat kufitare, Jarinjë e Bërnjak.

Bërnjak – Momenti i tërheqjes së Njësisë Speciale të Kosovës – 02.10.2021 – FOTO – Valon Fana – KALLXO

Në natën e parë të protestave Policia e Kosovës ishte detyruar që në pikën kufitare në Bërnjak të përdorë gaz lotsjellës për shkak të një incidenti të vogël. Banorët serb tentuan të bllokonin rrugën me zhavor po kjo u parandalua nga policia.

Por, sipas informacioneve të KALLXO.com, situata ishte vënë menjëherë nën kontroll.

Për situatën e krijuar në veri ka pasur reagime të shumta. Një nga reagimet ka ardhur nga Bashkimi Evropian.

Sipas zëdhënësit të BE-së, Peter Stano, Përfaqësuesi i Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell dhe i dërguari i posaçëm i BE-së për dialog, Mirosllav Lajçak, kanë qenë në kontakte me liderët e Kosovës dhe Serbisë dhe kanë ofruar ndihmën e tyre për uljen e tensioneve.

“Ne preferojmë që punën tonë ta bëjmë përmes kanaleve politike dhe diplomatike e jo përmes komenteve publike. Ato që kemi pasur nevojë të themi publikisht e kemi thënë përmes deklaratave për shtyp, përfshirë edhe dje nga komunikatat e Përfaqësuesit të Lartë Borrell”, ka thënë Stano.

Edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kanë reaguar për këtë situatë.

Të njëjtit kishin kërkuar nga Kosova dhe Serbia që të ulin tensionet e mëtejshme, pas vendimit të Qeverisë së Kosovës që të zbatojë masë reciprociteti për automjetet me targa të Serbisë.

Ambasada e ShBA-së në Prishtinë përmes një postimi në Twitter ka shkruar se i bashkohet thirrjeve të BE-së.

“Shtetet e Bashkuara i janë bashkuar thirrjeve të Bashkimi Evropian që Kosova dhe Serbia  të përmbahen nga veprimet e mëtejshme dhe të njëanshme dhe të ndërmarrin masa, në mënyrë që të ulen tensionet menjëherë”, thuhej në reagim.

Ndërsa nga UNMIKU ka folur Përfaqësuesi Special i Sekretarit të Përgjithshëm dhe Shefi i UNMIK-ut, Zahir Tanin.

Sipas UNMIK, veprimet e njëanshme rrezikojnë paqen dhe sigurinë dhe u ka bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë të ndërmarrin hapa të menjëhershëm për të shmangur tensionet përmes dialogut politik.

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, gjatë qëndrimit në Nju-Jork në kuadër të javës së Nivelit të Lartë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, ka zhvilluar takim me presidentin e Malit të Zi, Millo Gjukanoviq dhe kryetarin e Presidencës së Bosnjës dhe Hercegovinës, Zhelko Komshiq.

Përmes një komunikate të përbashkët tre presidentët janë shprehur të shqetësuar me zhvillimet e fundit në rajon duke shtuar se qëllim i përbashkët i tyre është ruajtja e stabilitetit në Ballkanin Perëndimor.

Edhe Përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi dhe çështje të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor, Miroslav Lajçak kishte reaguar.

Lajçak përmes një postimi në Twitter kishte kërkuar që të qetësohet situata dhe të lejohet liria e lëvizjes.

“I informova krerët e misioneve të Bashkimit Evropian mbi situatën në veri të Kosovës. Unë jam i shqetësuar dhe bëj thirrje për shtensionim të menjëhershëm. Është e rëndësishme të zvogëlohen tensionet, të rivendoset një atmosferë paqësore dhe të lejohet liria e lëvizjes. Ne jemi të gatshëm për të lehtësuar bisedimet për të gjitha çështjet e hapura në dialog”, kishte shkruar Lajçak.

Një reagim erdhi dhe nga Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i cili kishte thënë se Kosova ka të drejtë të ngrejë problemin për targat.

“Kosova e ngre problemin me plot të drejtë. Tani që problemi të zgjidhet dhe reciprociteti i targave të garantohet duhet shmangur bumerangu i ngrirjes së konfliktit në këtë pikë (siç ndodhi me tarifën 100%). Duhet që Kosova të dialogojë, Serbia të bashkëpunojë, BE të ndërmjetësojë”, është shprehur Rama.

Në ditën e marrjes së këtij vendimi, 20 shtator presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq kishte thirrur një takim urgjent të Këshillit të Sigurisë Kombëtare, në të cilin tema kryesore ishte paralajmëruar të jenë ngjarjet në Kosovë, kështu patën njoftuar mediat në Serbi.

Në afërsi të Jarinjës e Bërnjakut u panë edhe xhandarmëria e helikopterë e avionë ushtarak të ushtrisë serbe.

Një gjendje e tillë u pa për tri ditë radhazi ndërsa menjëherë pati reagime edhe nga ana e KFOR-i i cili shtoi trupat patrulluese në dy zonat të cilat konsideroheshin të nxehta.

Po ashtu, sipas portalit të Ministrisë së Mbrojtjes të Serbisë, ministri Nebojsha Stefanoviq kishte thënë se pjesëtarët e Ushtrisë serbe në njësitë që janë në gjendje të gatishmërisë së shtuar luftarake janë shumë të motivuar dhe të gatshëm për të mbrojtur “njerëzit tanë“.

“Ushtria është e gatshme të mbrojë njerëzit e saj me urdhër të presidentit”, citohet të ketë thënë ai.

“Ushtria jonë nuk provokon, vendi ynë dëshiron paqe dhe çdo zgjidhje që i jep një jetë më të mirë të gjithëve, por siç tha presidenti – kurrë nuk do të ketë pogrome ndaj popullsisë serbe, nuk do të ketë “Stuhi” të reja, dhe operacione të ngjashme”, citohet të ketë thënë ministri, duke përmendur operacionin “Stuhia” të forcave kroate të gushtit 1995, gjatë të cilit u shpartalluan forcat serbe dhe forcat kroate morën kontrollin në Republikën e vetëshpallur të Krajinës.

Në Bërnjak u tha edhe se u rrahën tre qytetarë serb nga ana e zyrtarëve policor.

Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq kishte thënë se policia dhe institucionet duhet të verifikonin informacionin se qytetarët serb u rrahën nga pjesëtarët e Njësive Speciale.

Policia e Kosovës kishte demantuar një gjë të tillë.

Deklarata ndaj pjesëtarëve të policisë nga ana e pjesëtarëve serb pati edhe ditët e fundit.

Policia mohoi në tërësi se Njësite Speciale kanë dëmtuar disa automjete private të parkuara në rrugën e cila të dërgon drejtë pikës kufitare Bërnjak, pra rruga e cila është bllokuar nga makineritë e rënda që janë vendosur nga qytetarët serb.

Sipas reagimit të policisë, deputeti i Listës Serbe, Igor Simiq ka publikuar një shkrim me fotografi të makinave të dëmtuara të titulluar “Primitivizëm i Njësive Speciale të Kosovës në Bërnjakë”.

“Në këto shkrime spekulohet se kinse njësitet speciale (NJSO) të PK-së, me rastin e kryerjes së ndërrimeve në kalimin kufitar Bërnjakë, me date 30 shtator 2021 rreth orës 23.30, kinse me qëllim kanë dëmtuar dhjetëra automjete private të parkuara në rrugë, sipas fotografive kinse janë gërvishtur nga zyrtarët veturat në fjalë”, thuhet në reagimin e Policisë së Kosovës.

E mërkura dhe e enjtja e kësaj jave ishin plot tension. Kjo pasi që po bisedohej në Bruksel për gjetjen e një zgjidhjeje në lidhje me situatën e krijuar në Jarinjë e Bërnjak.

Pas këtyre bisedimeve, Përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian (PSBE) për Dialogun Kosovë – Serbi dhe çështje të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor, Miroslav Lajçak përmes një postimi në twitter ka thënë se është arritur një marrëveshje në mes Kosovës dhe Serbisë rreth çështjes së targave të veturave.

“Ne kemi një marrëveshje! Pas dy ditësh negociatash intensive, një marrëveshje për de-përshkallëzimin dhe rrugën përpara sapo është arritur. Falënderoj Besnik Bislimin dhe Petar Petkoviçin për gatishmërinë e tyre për të negociuar dhe pajtuar për të mirën e njerëzve”, ka shkruar ai.

Kosova dhe Serbia arritën një marrëveshje pas 10 ditësh protesta.

Marrëveshja përfshinte tri pika:

-Njësitet speciale policore të vendosura në pikëkalimet e përbashkëta kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak, do të largohen bashkë me barrikadat, duke nisur nga 2 tetori, ora 08:00 deri në orën 16:00 të asaj dite. Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, do të angazhohet në këto dy pika në Jarinjë dhe Bërnjak, para nisjes së tërheqjes të zyrtarëve policorë dhe barrikadave, dhe do të mbetet aty për dy javë për të garantuar sigurinë.

-Nga 4 tetori, do të nisë së zbatuari përkohësisht regjimi i letrave ngjitëse, në vend të heqjes së targave të makinave të regjistruara në Kosovë dhe Serbi, deri në gjetjen e një zgjidhjeje të përhershme.

-Më 21 tetor do të nisë punën një ekip i përbërë nga zyrtarë të Bashkimit Evropian, Prishtinës dhe Beogradit për të gjetur një zgjidhje të përhershme. Brenda gjashtë muajve, prej nisjes së takimit të parë, i ashtuquajturi Grup Punues, do të prezantojë gjetjet për një zgjidhje të përhershme në formatin e dialogut të nivelit të lartë.

Mëngjesin e sotëm ekipe të shumta të KFOR-it u panë rrugës drejtë pikave kufitare Jarinjë e Bërnjak.

Ata pritej të zëvendësonin njësitet policore ashtu siç ishte përshkruar në marrëveshje.

Negociatat mes Njësive Speciale dhe protestuesve zgjatën me shume se 6 orë.

 

Cilat ishin negociatat mes Njësive Speciale dhe protestuesve serb?

Para orës 8 të mëngjesit KALLXO.com ishte në Jarinjë e Bërnjak. Rrugët që shpiejnë drejt pikave kufitare ishin të liruara vetëm me nga një korsi rrugore.

Protestuesit nuk pranonin që të largonin të gjitha barrikadat.

Kërkesa e tyre ishte që fillimisht Njësitet Speciale të largoheshin nga pikat ku ishin vendosur tash e 13 ditë e më pas të largoheshin në tërësi barrikadat që u krijuan nga protestuesit.

Pjesëtarët e KFOR-it merreshin edhe me negociatat ndërsa Kryetari i Komunës së Leposaviqit, Zoran Todiq para gazetarëve ka thënë se KFOR u ka kërkuar të lirojnë një pjesë të rrugës dhe këtë e kanë bërë në mënyrë që ata të vendosen në vend të njësive speciale.

“Ushtarët e KFOR-it kanë kërkuar që ne të lirojmë një korsi dhe ne e kemi bërë në mënyrë që ata të vijnë në lokacion ku do të vendosen në vend të specialëve. E kemi bërë atë që është kërkuar. Në momentin që lëvizin njësitë speciale edhe makineritë hiqen”, ka  thënë Todiq.

Ai tutje potencoi se gjëja kryesore është të ruhet paqja dhe të kthehet situata në normalitet.

Njësitet Speciale nuk pranuan, ata nuk morën urdhër të tërhiqeshin deri sa protestuesit liruan rrugën dhe nuk u pa asnjë makineri e rëndë në atë zonë.

Njësitet Speciale kërkonin respektim të marrëveshjes ndërsa tërheqja vazhdoi edhe për dy orë të tjera.

Një situatë e ngjashme ndodhi edhe në Bërnjak.

Protestuesit serb nuk pranonin të largonin nga pika një kamion në te cilën ishte e vendosur një pano me mbishkrimin “Mirë se vini në Asociacionin e komunave”.

Pas kësaj kërkese pati tensione të ngritura nga ana e protestuesve serb në afërsi të Jarinjës.

Brenda një periudhë 30 minutëshe edhe kjo barrikadë u largua ndërsa policia sërish nuk tërhiqej.

Kërkesa ishte qe të largoheshin edhe tendat e vendosura nga ana e qytetarëve serb. Fillimisht as kjo kërkesë nuk u miratua por qytetarët serb lokal të veriut të Kosovës vendosën që të largonin edhe tendat e vendosura.

Pas këtyre veprimeve erdhi edhe urdhri, rreth shtatë orë pas fillimit të kohës së përcaktuar për t`u larguar barrikadat e policia, kjo e fundit u tërhoq për të vazhduar më pas drejt kampeve policore të cilat gjenden në Mitrovicë.

Policia u përcoll me thirrje “Serbia” nga ana e qytetarëve serb.

Këta të fundit pas tërheqjes së policisë u shpërndanë ndërsa kontrollin në zonat Bërnjak e Jarinjë e mori KFOR-i i cili do të mbikëqyrë situatën përgjatë dy javëve të ardhshme.

Në anën tjetër Policia e Kosovës u prit nga dhjetëra qytetar në qytetin e Mitrovicës të cilët kishin dalë për të mirëpritur kthimin e pjesëtarëve policor që për 13 kishin qëndruar në gjendje gatishmërie në Jarinjë e Bërnjak.

Pas kësaj pritjeje të qytetarëve, Policia e Kosovës njoftoi në bazën policore, pjesëtarët e njësive speciale u falënderuan nga ana e ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe drejtori i Policisë Samedin Mehmeti.

 

Arrihet marrëveshja për targat në mes Kosovës dhe Serbisë