Krejt çka ndodhi me autobusin me targa serbe që u ndal nga një kosovar në Pejë

Mëngjesin e sotëm, dy persona po dyshohet se deri sa ishin në një veturë kishin bërë disa manovrime dhe më pas i kishin dalë para një autobusi me targa serbe. Pasi e kishin ndalur autobusin, dyshohet se të njëjtit e kanë vendosur një flamur të Kosovës në pjesën e përparme. 

Autobusi me targa serbe i cili i ishte nënshtruar edhe vendosjes së stikersave për mbulimin e simboleve shtetërore të Serbisë ishte nisur me 36 udhëtarë drejt një vizite në Pejë. 

Ky incident është raportuar në mënyra të ndryshme nga mediat, ndërsa Zyra e Kosovës në Qeverinë e Serbisë e ka cilësuar këtë incident si provokim dhe tentim të nxitjes së trazirave.

Portali “Kosovo-Online” publikoi një shkrim me titull “Një autobus është ndaluar në Pejë me serbë, një shqipëtar me veturë e ka bllokuar rrugën, është kërcënuar dhe e ka vendosur flamurin e Kosovës”.

Në shkrimin e publikuar nga “Kosovo- Online” njëri nga shoferët e autobusit përshkruajti ngjarjen që kishte ndodhur. Në po të njëjtin shkrim janë publikuar edhe dy fotografi ndërsa në pjesën ballore të autobusit shihet i vendosur një flamur i Kosovës. 

“Në hyrje të Pejës, rreth orës 09:40, një veturë na preu rrugën, sikur donte ta godisnim, e ka ngadalësuar shpejtësinë, por shoferi i autobusit e ka injoruar. Më pas shqiptari që drejtonte ka hapur xhamin e makinës. dhe na kërcënoi në shqip, edhe pse nuk e kuptonim. Pas kësaj, ai parkoi makinën para autobusit, nuk mundëm ta rrotullonim, sepse kishte makina që vinin nga ana e kundërt, ai doli, mori flamurin e Kosovës dhe e vendosi në pjesën e përparme të autobusit, ai kërcënoi se nuk duhet ta heqim dhe fotografoi një autobus me targa BG”, tha Josifoviq.

Siç ka shtuar shoferi i autobusit, rasti është raportuar menjëherë në polici.

“Autobusi në të cilin anëtarët e Shoqatës së Banorëve të Planajës ishin nisur për në Patriarkanën e Pejës është sulmuar sot në Pejë nga shqiptarë të cilët kanë bllokuar rrugën me veturë, i kanë kërcnuar dhe vendosur flamurin e Kosovës në autobus”, përshkruhet ngjarja në lajmin e “Kosovo- Online”. 

Pas këtij shkrimi ka reaguar edhe Zyra e Kosovës në Qeverinë e Serbisë. Ata e kanë quajtur provokim dhe tentim për nisje të trazirave. 

“Është e qartë se kjo është vazhdimësi e presionit të organizuar ndaj serbëve, i cili synon të shkaktoj trazira, frikë dhe pasiguri te popullata serbe në Kosovë”, thuhet në reagimin e Zyrës të cilën e udhëheqë Petar Petkoviq.

Mediat serbe nuk kanë kontaktuar me Policinë e Kosovës apo me Prokurorinë e Shtetit për të parë nëse janë marrë masa rreth rastit.

Në Policinë e Pejës tashmë është hapur rast për ngacmim në lidhje me këtë ngjarje. 

Zëdhënësi i Policisë së Rajonit të Pejës, Fadil Gashi, në një bisedë me KALLXO.com ka sqaruar se në bazë të deklaratave të ankuesve  një autobus me targa të Serbisë i cili ishte duke qarkulluar në Pejë është ndaluar nga një veturë e dyshuar, ndërsa në xhamin e përparmë një person i dyshuar i ka vendosur një flamur të Kosovës.

Policia e Kosovës thotë se në autobus ishin 38 udhëtarë, të cilët ishin nisur për një vizitë në qytetin e Pejës përgjatë rrugës “Bekim Berisha”. 

Gashi ka treguar se tashmë është identifikuar vetura dhe personi i cili pretendohet se ka vendosur flamurin e Kosovës te autobusi me targa serbe. 

“Deri më tani është arritur që të identifikohet vetura e dyshuar dhe për njërin nga personat që ishte brenda është bërë ftesë që të paraqitet në polici për intervistim”, ka thënë Gashi.

Gjithashtu sipas Gashit në lidhje me rastin nuk ka të raportuar për ndonjë dëm material të shkaktuar apo persona të lënduar.

Lajmi i medias serbe në Kosovë “Kosovo-Online” i cili është shpërndarë edhe në rrjete sociale si Facebook, ka bërë që shqiptarë e serbë të replikojnë me njëri-tjetrin me komente fyese e me përmbajtje të gjuhës së urrejtjes. Në disa nga gati 100 komente në këtë lajm shkruhet “terroristët duhet të marrin mësim”, “ne do të vijmë së shpejti”, “kur të kërkojë Serbia falje për masakrat…mund të bisedojmë për paqe”, “ju urreheni prej të gjithve përveç rusëve”, etj.