Presidentja e Kosoves, Vjosa Osmani Foto: Denis Sllovinja /KALLXO.com
Krejt çka dihet për incidentin e presidentes Osmani në Aeroportin e Shkupit
Përgjatë kontrollit kufitar në Aeroportin e Shkupit (Maqedonia Veriore), presidentes të Kosovës, Vjosa Osmani, i ndodhi një rast i pazakontë që përfundoi me një incident mes palës kosovare dhe asaj maqedonase. Edhe pse rrethanat e plota ende janë të paqarta, rasti po cilësohet si një skandal dhe shkelje e imunitetit diplomatik.
Gjithçka besohet që ndodhi për shkak të telefonit të presidentes Osmani, edhe pse autoritetet e dy vendeve dhanë qëndrime të kundërta me njëra-tjetrën me lidhje me këtë çështje.
Rrëfimi i stafit të afërt të presidentes thotë se: Sigurimi i aeroportit ka tentuar të shtyjë fizikisht presidenten Vjosa Osmani. Përveç saj, thonë se duke mos i respektuar rregullat ndërkombëtare për marrëdhënie diplomatike, ka tentuar t’ia marrë telefonin personal presidentes Osmani dhe çantën personale të dorës. Më pas për të hapur rrugën kishte reaguar Policia.
“Presidentja nuk ka lejuar një gjë të tillë, sepse do të ishte shkelje e rëndë” – tha Egnesa Vitia për KALLXO.com, duke shtuar se ishte tentuar t’i merrej telefoni në kundërshtim me praktikat ndërkombëtare dhe Konventën e Vjenës për Marrëdhënie Diplomatike.
Edhe pse specifikisht në Konventën e Vjenës të vitit 1961 nuk përmendet telefoni, por për çantën diplomatike shkruan se ka imunitet diplomatik nga kontrolli për sa kohë është e shënuar nga jashtë për të treguar statusin e saj, sipas nenit 27.
Sipas këtij neni, çanta diplomatike mund të përmbajë vetëm dokumente diplomatike ose artikuj të destinuar për përdorim zyrtar.
Se a kishte dërguar Ambasada e Kosovës në Shkup notë verbale paraprakisht siç është praktika për udhëtime të krerëve për vizita jashtë vendit, nga Presidenca thanë po, ndërsa Ministria e Jashtme nuk është përgjigjur në këtë pyetje të KALLXO.com që iu dërgua më 01.08.2024.
Ndryshe nga autoritetet kosovare, pala maqedonase fajin ja ka hedhur palës kosovare.
Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë së Veriut ka deklaruar që brenda Aeroportit, presidentes Osmani vetëm i është kërkuar telefoni në mënyrë që të skanohet, por më pas një person nga sigurimi i presidentes është larguar nga punonjësja e TAV-së (kompania që menaxhon aeroportin), me qëllim që Osmani të kalonte pa telefon të skanuar dhe bagazh dore.
“Por më pas bagazhi u kthye dhe kaloi përmes një skaneri”- shkruhet në reagimin e Ministrisë.
Ky institucion thotë se situata nuk përfundoi këtu, pasiqë pas gjysmë ore erdhi një person nga sigurimi i kryetarit të Kuvendit Afrim Gashi (polic) me dy persona të tjerë (policë) dhe filluan të kërcënojnë punëtorët e TAV-së dhe të pyesin se kush i ka shkaktuar problem presidentes.
Sipas Ministrisë, në të njëjtën kohë polici ka shtyrë edhe një punonjës policie që punonte në pikën kufitare dhe është njoftuar Departamenti për Kontroll të Brendshëm, Hetime Kriminale dhe Standarde Profesionale dhe po merren masa për zbardhjen e rastit në koordinim me PTHP për QKK-në, pas së cilës do të dorëzohen parashtresat përkatëse.
Kompania TAV, thonë se kanë respektuar rregullat, gjegjësisht që Ministria e Punëve të Brendshme ka udhëzuar që delegacioni t’i nënshtrohet kontrollit standard në aeroport.
Ata kanë hudhur poshtë kategorikisht akuzat se punonjësi ynë nga departamenti i sigurisë ka tentuar të marrë telefonin e presidentes, pasiqë në bazë të Dokumentit 30 të ECAC (Doc.30) dhe Programit Kombëtar të Sigurisë së Aviacionit Civil, të gjithë pasagjerët, bagazhet e kabinës dhe sendet e tyre personale që udhëtojnë në një fluturim komercial, si në këtë rast, i nënshtrohen kontrollit të sigurisë.
Heshtja dhe ironia
Përveç Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës të cilët kanë deklaruar se janë duke mbledhur informata nga Ambasada e Kosovës në Shkup dhe Ministria e Punëve të Jashtme atje, Qeveria e Kosovës nuk ka bërë zë me asnjë reagim në lidhje me këtë rast që ka bërë bujë që nga mbrëmja e 1 gushtit.
Kryetari i grupit parlamentar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri tha se incidenti në Aeroportin e Shkupit ku është përfshirë presidentja Vjosa Osmani, është skandal i rëndë diplomatik mes dy shteteve.
“Presidentja e Kosovës ndalohet, shkelen të gjitha konventat, protokollet diplomatike, ky nuk është skandal është incident i rëndë diplomatik mes dy shteteve”- tha Tahiri në një konferencë për media më 02.08.2024.
Tahiri tha se me këtë incident pjesë janë dëmtuar marrëdhëniet rajonale.
Ndërsa, kryetari i grupit parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri ka ironizuar me këtë incident.
“Për me komentu këtë duhet me ditë ndonjë këngë të Dafinës. S’po di cila këngë e Dafinës i kish shku për shtati”- tha Tahiri në konferencë për media, duke përdorur debatin indirekt që u bë para pak ditësh mes presidentes Osmani dhe ministres së Jashtme, Donika Gërvalla-Schwarz, përmes dy këngëve të Dafina Zeqirit.
“Nuk më habit fakti sepse atje kemi një ndërrim pushteti që mund të ketë ndërrim në qasje, këtij ndërrimi të pushtetit i ka kontribuar shumë edhe qeveria jonë”- tha Tahiri.
Në lidhje me këtë çështje, kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, deklaroi se ekipi i tij ka ndërhyrë vetëm për të qetësuar situatën, jo për të bërë ndonjë incident diplomatik dhe mendoj se gjithçka përfundoi ashtu siç duhej.
“Nëse dikush i ka tejkaluar kompetencat e tij, sigurisht që do të duhet të përgjigjet”- tha Gashi.
Ndërhyrjen e ekipit të Gashit e ka qortuar subjekti politik, Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), duke e quajtur veprim skandaloz ndaj shtetit të Kosovës.
Sipas BDI-së, përfshirja e shefit të sigurimit të kryetarit të Kuvendit Afrim Gashi në incident e ka thelluar atë, duke e cilësuar skandaloz.
“Kjo pasqyrë e shtetit ndaj çdo qytetari, e në veçanti ndaj përfaqësuesve më të lartë të shtetit, e në këtë rast motrat dhe vëllezërit tanë nga Kosova, është e papranueshme dhe duhet dënuar në formën më të ashpër”- shkruan në reagimin e BDI-së.
BDI thotë se shefi i sigurimit nuk ka pasur asnjë kompetencë, “pa qenë të thirrur dhe pa të drejtë, është gjithashtu skandaloz dhe flet zëshëm për gjendjen e mjerueshme dhe vazale në të cilën është përfaqësimi jolegjitim shqiptar në qeverinë monoetnike”.
Akuza për këtë rast kanë drejtuar kundrejt koalicionit VLEN.
Zëvendëkryeministri i parë i Maqedonisë së Veriut, Izet Mexhiti, njëherësh kryetar i Lëvizjes Demokratike, ka thënë se të gjitha institucionet e shtetit kanë reaguar menjëherë për të zgjidhur keqkuptimin e ndodhur në Aeroportin e Shkupit dhe presidentes Osmani udhëtimi i është mundësuar pa shqetësime.
“Keqkuptimi i shkaktuar mes MPB, TAV dhe sigurimit të Presidentes është sqaruar dhe tejkaluar pa komplikime dhe situata është tejkaluar pa pasoja”- ka thënë Mexhiti.