Krasniqi: Vjosa Osmani, marioneta e Albinit në LDK

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, i ka thënë kryeministrit në ardhje, Albin Kurti që të ketë kujdes për territorin e Kosovës.

“Kosovën po e merrni me doganier, polici e zyrtar të shtetit në secilin cep të saj dhe ruajuni se po humbni kontrollin e territorit, ruajuni se po rrezikoni një centimetër tokë të Kosovës e atëherë më mirë ju bie të rrini në Bruksel e mos të ktheheni mbrapa, mund të shkoni edhe në Norvegji nëse ju vjen më lehtë”, ka thënë Krasniqi.

Ai ka thënë se Kurti krejt karrierën e tij politike e ka ndërtuar me mashtrime manipulime dhe dhunë.

“Trajektorja politike e Albin Kurtit e frymëzuar nga mësimet e kasapëve revolucionar jo vetëm se dhunoj kundërshtarët e tij politik, por nuk kursej as bashkëpunëtorët e tij të afërt të cilët për të ishin vetëm kurban për arritjen e qëllimeve të tij. Ai i sakrifikoj ata edhe kur i nxjerri në rrugë duke u gënjyer se Kosova kurrë nuk do të bëhet shtet, por edhe kur i nxiste për të sulmuar institucionet e shtetit”, ka thënë Krasniqi.

Tutje Krasniqi ka thënë se Kurti sot pak më butë i sakrifikon për tu bërë kryeministër, si puna e njeriut më të afërt të tij, të cilin Krasniqi e ka quajtur “kurban Konjufca”, sepse sipas tij për Albin Kurtin asnjë çmim nuk është i lartë nëse atij i mundëson kapjen e pushtetit për të cilin ka vepruar me metodat më të pista tash e 15 vjet.

“Është Isa Mustafa që ky Albin e quajti me vite argat të Serbisë e tradhtar të vendit, sot Isa është profesor i nderuar për Albinin sepse pa Isën nuk mund ta kap pushtetin që e do kaq shumë. Këta dy bëjnë pazare të natës në “Ranch-in e Prapashticës” jo vetëm të ç‘nderuar Kuvendin e Kosovës, por edhe për ta bërë Isa Mustafën president të vendit atëherë kur ti vijë koha edhe pse këtë pikë të marrëveshjes asnjëri nuk po guxon ta publikoj”, ka thënë Krasniqi.

Ai tutje ka thënë se asnjëri nga deputetët e pozitën nuk ka guxuar që të flas gjatë seancës së sotme.

“Ky diktat i këtyre të dyve po shihet edhe sot kur u kanë ndaluar deputetëve të koalicionit në këtë seancë, asnjë prej tyre nuk guxon sot me fol sepse diktatet u kanë thënë “mshelne gojën”, ka thënë Krasniqi.

Ai tutje Kurtin e ka quajtur edhe fallxhor të suksesshëm pasi, sipas tij, ia ka caktuar LDK-së kandidaten për kryetare e kuvendit.

“Pra sot apo këto ditë, marioneta e Albinit në LDK, Vjosa Osmani do të bëhet kryetare e Kuvendit ashtu siç e përcaktoj Albini fatin e saj tash e sa muaj me parë”, ka thënë Krasniqi.

“Ky koalicion i panatyrshëm nuk ishte i pa pritshëm sepse kishte filluar qe më shumë se një vit kur këto dy parti ishin në opozitë por pse nuk e arritët koalicionin ashtu siç e proklamuat për 72 orë pas certifikimit të rezultateve, kaluan mbi 1 mijë e 600 orë derisa ju e morët vesh.”, ka përfunduar Kransiqi.