Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Krasniqi u kërkon përkrahësve ta bojkotojnë balotazhin në Malishevë

Kandidati për kryetar të Malishevës nga VV-ja, Alban Krasniqi ka kërkuar nga votuesit e tij të bojkotojnë balotazhin e 14 nëntorit.

Ai në një postim në Facebook ka shkruar se në Malishevë shprehja demokraci dhe vullnet i lirë janë ende larg të qenit realitet.

”Asnjëra prej subjekteve që kanë fituar balotazhin nuk përfaqësojnë vlera për të cilat ne angazhohemi, përkundrazi janë sinonim i krimit. Andaj edhe i bëjë thirrje të gjithë votuesve tanë që TA BOJKOTOJNË BALOTAZHIN NË MALISHEVË. Sepse të zgjedhësh mes dy të këqijave nuk është zgjidhje, por zgjedhë…lak në fytin e qytetarit. Na duhet më shumë punë dhe përkushtim që ta rizgjojmë vendosmërinë e qytetarëve për të mos iu nënshtruar krimit dhe mafias politike. Strukturat kriminale dhe ato të SHIK-ut të instaluara ndër vite në institucionet qendrore, lokale dhe ndërmarrjet publike, që posedojnë edhe biznese multimilionëshe vazhdojnë të funksionojnë dhe dje ato i dhanë frytet e tyre. Çrrënjosja e tyre është parakusht për zhvillimin e demokracisë në vend”, ka shkruar Krasniqi në Facebook.

Krasniqi ka thënë se do të dëshironte t’i uronte qytetarët për këto zgjedhje, por thotë se duke qenë i vetëdijshëm për mënyrën sesi përdoren ende mekanizmat e klientelizmit, shantazhit dhe patronazhit në komunën tonë kjo më bënë të ndjej keqardhje për pamundësinë që të triumfoj vullneti i lirë.

Krasniqi ka thënë se është e dhimbshme që e ardhmja u sakrifikua nga interesi shkurtpamës./21Media