Krasniqi: Të ndalohet Serbia në cenimin e sovranitetit të Kosovës

Kryetari i Partisë Demokartike të Kosovës, Memli Krasniqi, u ka bërë thirrje Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bashkimit Evropian dhe NATO-s, që të reagojnë urgjentisht ndaj qasjes së Serbisë në raport me Kosovën, duke e cilësuar këtë si kërcenim të hapur ndaj sovranitetit shtetëror dhe rendit kushtetues të Kosovës.

Ai nëpërmes një adresimi në llogarinë e tij në rrjetin social Facebook, ka shkruar se u bën thirrje Bashkimit Evropian, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, NATO-s dhe partnerëve tanë strategjik, që të reagojnë urgjentisht.

“Ndaj kësaj qasjeje, që përbën kërcenim të hapur ndaj sovranitetit tonë shtetëror dhe rendit tonë kushtetues. Veprimet bllokuese dhe gjuha nxitëse e konfliktuoze e Serbisë ndaj shtetit dhe sovranitetit tonë, duhet të trajtohet seriozisht”, ka shkruar Krasniqi.

I pari i PDK-së, ka thënë se me mendje e zemër është me policët e Republikës së Kosovës, të cilët, në një situatë aspak të lehtë dhe shqetësuese për sigurinë e tyre, për të gjashtën ditë me radhë po qëndrojnë në krye të detyrës, në pikat kufitare në Bërnjak dhe Jarinje.

“Në përgjegjësinë e qeverisjes, gjithmonë është e udhës që për vendime të rëndësishme, të ketë koordinim dhe strategji të qëndrueshme. Por vendimet legjitime të institucioneve të Kosovës, janë vendime sovrane të shtetit të Kosovës, të cilat nuk mund të bllokohen, e mbi të cilat nuk mund të instruktohet kërcenim mbi shtetin tonë”, vijon adresimi i Krasniqit.

Sulmet ndaj institucioneve e Kosovës, që ndodhën në 24 orët e fundit, të shoqëruar me akrobacione ajrore të Serbisë përgjatë kufirit, nuk duhet lejuar që të jenë prelud i përkeqësimit të mëtejmë të situatës, ka nënvizuar ai, duke shtuar se për këtë Qeveria duhet të marrë masa për të siguruar jetën e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës si dhe të gjithë qytetarëve të asaj ane, pa dallim.

Shteti i Kosovës është produkt i vullnetit për liri, ka vijuar mëtej në adresim Krasniqi, duke kujtuar se rruga për jetësimin e shtetit të Kosovës ka qenë e gjatë dhe e mundimshme, rrjedhimisht e përhershme dhe e pakthyeshme.

“Përgjegjësia për të është përgjegjësi kombëtare e jo vetëm politike. Presim dhe jemi të gatshëm të mbështesim një qasje që reflekton përgjegjësi shtetërore për menaxhimin e situatës së krijuar”, thuhet në fund të reagimit të tij.