Krasniqi takon Lajçakun, kërkon që dialogu me Serbinë të mbyllet me njohje reciproke

Lideri i Partisë Demokratike të Kosovës Memli Krasniqi, ka zhvilluar takim me Përfaqësuesin Special të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi dhe çështje të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor, Miroslav Lajçak.

Pas takimit Krasniqi ka thënë se Lajçak e ka informuar rreth zhvillimeve të fundit me dialogun mes Kosovës e Serbisë.

Kurse, Krasniqi tha se e ka njoftuar Lajçakun me qëndrimet e pandryshuar të PDK-së për procesin e dialogut.

“Zotëri Lajčak më informoi rreth zhvillimeve të fundit në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë dhe hapave të mëtutjeshëm që pritet të ndërmirren. Atë e njoftova me qëndrimet e pandryshuara të PDK-së për procesin e dialogut, i cili duhet të përmbyllet me marrëveshje finale dhe njohje reciproke mes Kosovës dhe Serbisë”, ka shkruar Krasniqi në rrjetin social Facebook.

Lajçak dje ka arritur në Kosovë ku do të qëndroj deri më 29 qershor. Gjatë ditës së sotme pritet t’i takoj përfaqësuesit e partive parlamentare.

Përveç takimit me Kurtin, Lajcak gjatë kësaj vizite do të takohet me liderë të partive kryesore opozitare.

Lajçak në Kosovë, nis takimin me Kurtin