Foto: Partia Demokratike e Kosovës

Krasniqi takon Kryesinë, deputetët dhe kryetarët e degëve të PDK-së: Statuti i Asociacionit duhet të jetë në pajtim me Kushtetutën

Kryetari Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka mbajtur sot takime të ndara me kryesinë e partisë, me deputetët e grupit parlamentar të PDK-së dhe me kryetarët e degëve.

Sipas njoftimit të PDK-së, Krasniqi ka shprehur shqetësimin e tij për mungesën e transparencës nga ana e kryeministrit Kurti në raport me procesin e dialogut, përkatësisht me draft-statutin e Asociacionit.

Kryeministri Kurti ka thënë se ky draft-statut është shumë më i avancuar se ai i vitit 2013, por sipas tij me kërkesë të ndërmjetësve të dialogut nuk mund të tregojë më shumë.

Krasniqi ka thënë se deputetët duhet të njoftohen zyrtarisht nga kryeministri për përmbajtjen e dokumentit që e ka pranuar, si dhe duhet ta dinë se deri në çfarë mase drafti i statutit të Asociacionit do ta ndryshojë rregullimin e brendshëm dhe karakterin unitar të shtetit.

“Kryetari Krasniqi ka ripërsëritur qëndrimin se për PDK-në është i papranueshëm çfarëdolloj statuti, i cili e parasheh formimin e Asociacionit me kompetenca që bien ndesh me idealet themeluese të Republikës së Kosovës. Gjatë këtyre takimeve u tha se regresi ekonomik, sanksionet ndërkombëtare dhe përkeqësimi i mirëqenies së qytetarëve janë vetëm disa nga pasojat, krahas dështimit në dialog, të cilat vijnë si rezultat i keqqeverisjes, arrogancës dhe aferave të vazhdueshme korruptive të zyrtarëve qeveritarë” – thuhet në komunikatën e PDK-së.

Kreu i PDK-së në këto takime ka njoftuar zyrtarët e partisë edhe për takimin me të dërguarin e posaçëm për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak javën e kaluar, duke thënë se i ka kërkuar atij që Bashkimi Europian të heqë sa më parë sanksionet e padrejta ndaj Republikës së Kosovës.

Memli Krasniqi ka shprehur qëndrimin e tij se statuti i Asociacionit duhet të jetë në pajtim me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës, të mos krijojë një nivel të ri të pushtetit dhe të mos ketë kompetenca ekzekutive.

Lidhur me informimin për draft-statutin e Asociacionit, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka thënë disa ditë më parë se janë informuar në vija të trasha nga kryeministri Albin Kurti dhe ka shtuar se kryeministri është partner serioz që i trajton me konsideratë kërkesat e ndërmjetësve të dialogut.