Krasniqi takon ambasadorin Hovenier: Raporti i Kosovës me SHBA-në është i shenjtë
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës ka zhvilluar një drekë pune më ambasadorin amerikan, Jeffrey Hovenier.
“Raporti i Kosovës me SHBA-në është i shenjtë, i pazëvendesueshëm dhe i përhershëm. Diskutime të frytshme dhe miqësore me ambasadorin amerikan, Jeffrey Hovenier, sot, gjatë një dreke pune në rezidencën e tij” – ka shkruar Krasniqi në Facebook.
Në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës kur po diskutohej për situatën në veri dhe raportet me SHBA-të, Kreu i PDK Memli Krasniqi tha se nuk do ta lejojnë kryeministrin Albin Kurti, të rrezikojë raportin me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Raporti jonë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës është i shenjtë, nuk mundesh me rreziku. Vallahin nuk te lejojmë me rreziku, këtë mbaje mend. Nuk mundesh me rreziku se është ekzistencial”- i tha ai kryeministrit Kurti.
Nga e hëna serbët në veri janë duke protestuar për të kundërshtuar idenë që kryetarët e rinjë të ushtrojnë detyrat e tyre nga objektet komunale.
SHBA-të dhe BE vazhdimisht kanë kërkuar shtendosje të situatës në veri të Kosovës. Madje SHBA ka përjashtuar ushtrinë e Kosovës nga ushtrimi Defender 23 si pasojë për ‘mosdëgjimin’ që e ka bërë Qeveria e Kosovës.
SHBA po kërkojnë nga qeveria që kryetarët të mos ushtrojnë detyrat e tyre nga objektet komunale dhe policia e Kosovës të largohet nga ato ndërtesa. Për kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, kryetarët duhet të ushtrojnë detyrat nga zyrat e tyre, sepse sipas tij ‘Kosovës nuk i duhet sistem paralel’.