Krasniqi: Qeveria ka faj që ka marrë detyra që nuk dinë t’i përfundojnë

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi në debatin për rritjen e çmimeve në Kuvend, ka thënë se nuk e fajëson qeverinë për rritjen e çmimeve, por që sipas tij kanë marrë detyra që nuk mund t’i përfundojnë si duhet.

“E dimë që kryeministri, qeveria dhe krejt ju që jeni në pushtet nuk e keni fajin kryesor për ngritjen e çmimeve. Po ju keni faj që keni marrë detyra që nuk mundeni dhe nuk dini me i kry si duhet”, ka thënë Krasniqi.

Ai tha se pyetja nuk është se çka e ka shkaktuar shpërthimin e çmimeve por se çka ka bërë Qeveria për tu ballafaquar me këtë krizë.

Krasniqi tha se nuk është marrë asnjë hap për rritjen minimale të pagave ani pse sipas tij ka qenë premtim madhor i qeverisë.

“Asnjë hap nuk është ndërmarrë për rritjen e pagave, as në sektorin publik e as në atë privat. As paga minimale nuk është realizuar ende, e që ka qenë premtim madhor i juaji”, ka deklaruar Krasniqi.

Tutje, Krasniqi i është drejtuar kryeministrit Albin Kurti se Këshillin Ekonomik-Social e kanë lënë si trofe në agjendën e tij .

Sipas kryetarit të partisë më të madhe opozitare, qeveria nuk ka asnjë plan përballë situatës së rritjeve të çmimeve duke shtuar se “më mirë kish qenë me pas një plan sado të keq që me mund me kontribu sot të gjithë, se sa mos me pas plan e me ndejt si spektator siç po rrini në këtë situatë”