Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Krasniqi: Qeveria duhet të sigurojë liri të lëvizjes dhe respektim të ligjit në çdo cep të vendit

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka thënë se në mungesë të informatave zyrtare nga ana e qeverisë, inkurajon institucionet e sigurisë që të jenë në shërbim të ruajtjes së rendit publik dhe sovranitetit në veri të vendit.

Sipas Krasniqit, Qeveria e Kosovës duhet të sigurojë liri të lëvizjes dhe respektim të ligjit në çdo cep të vendit tonë.

“Vendosja e barrikadave dhe veprimet e paligjshme në veri të vendit janë të papranueshme. Qeveria e Kosovës duhet të sigurojë liri të lëvizjes dhe respektim të ligjit në çdo cep të vendit tonë. Në mungesë të informatave zyrtare nga ana e qeverisë, inkurajoj institucionet tona të sigurisë që të jenë në shërbim të ruajtjes së rendit publik dhe sovranitetit në veri të vendit. Këto veprime duhet të koordinohen edhe me partnerët ndërkombëtarë, të cilët i ftoj që t’i monitorojnë dhe denoncojnë provokimet dhe veprimet e paligjshme të strukturave kriminale në veri të vendit, që qartësisht janë të sinkronizuara me Beogradin zyrtar.

“Ftoj qytetarët e komunitetit serb që të mos lejojnë të manipulohen nga politika destruktive e Serbisë që ka synim destabilizimin e vendit tonë. Të gjithë duhet të punojnë për mbarëvajtjen e rendit, qetësisë dhe sigurisë për qytetarët, duke garantuar lëvizjen e lirë për të gjithë”, ka shkruar lideri i PDK-së, Memli Krasniqi në rrjetin social Facebook.

Serbët lokalë në veri të Kosovës kanë bllokuar me kamionë, dhe me mjete tjera, rrugët që çojnë drejt dy pikëkalimeve kufitare që lidhin Kosovën dhe Serbinë – Jarinjë dhe Bërnjak.

Bllokadat vijnë një ditë para se të hyjnë në fuqi dy vendime të Qeverisë së Kosovës që kanë të bëjnë me targat dhe dokumentet serbe.

Policia e Kosovës ka njoftuar se ka mbyllur pikëkalimet kufitare Jarinjë dhe Bërnjak – për qarkullim të udhëtarëve dhe automjeteve – për shkak të bllokadave të vendosura dhe ka njoftuar qytetarët që të përdorin rrugë alternative. 

LIVE – Zhvillimet e fundit në veri