Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Krasniqi: Punësimet pa kritere e kanë rënduar situatën në ndërmarrje publike

Rreth 20 milionë euro janë humbjet të cilat i kanë pasur 6 prej 14 ndërmarrjeve publike të audituara në vitin 2019.

Nga 14 ndërmarrjet publike të cilat janë audituar në vitin 2019, 13 prej tyre kanë pranuar opinione negative nga Auditori i Përgjitshëm, ndërsa vetëm njëra prej tyre nuk ka pranuar opinion negativ.

Në emisionit për punësimet për vota në ndërmarrejt publike, Besnik Krasniqi nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, drejtor i Njësisë për Politika dhe Monitorim të Ndërmarrjeve Publike në Ministrinë e Ekonomisë ka treguar se cilat ndërmarrje publike janë keq nga ana financiare.

“Janë disa ndërmarrje publike të cilat janë në gjendje serioze të keqe në aspektin financiar, gjigandët e Kosovës, si Trepça, Telekomi, Infrakos, janë ndërmarrje të cilat qëndrojnë keq financiarisht dhe kanë borxhe të mëdha, ndërsa hiq më mirë nuk qëndrojnë edhe ndërmarrjet e ujërave apo ndërmarrjet lokale”, ka thënë Krasniqi.

SIpas tij, mbingarkesa e punëtorëve apo punësimi i njerëzve pa kritere e ka rënduar në masë të madhe këtë situatë, dhe prandaj ndërmarrjet publike janë në këtë gjendje.

“Në kohën kur kam marr detyrën si drejtor i Ministrisë për Politika dhe Motiorimimin e ndërmarrjeve publike, Telekomi ka qenë në një gjendje tmerërsisht të keqe. Shtatë vitet e fundit, Telekomi i Kosovës ka operuar me bilanc suksesi negativ, çdo muaj ka qenë në minus dhe ka krijuar borxhe të mëdha”, u shpreh Krasniqi.

Sipas tij, në gjashtë mujorin e parë të vitit 2020, çdo muaj Telekomi ka qenë prej 1 milion e 504 mijë euro deri në 1 milion e 444 mijë euro në minus.

“Detyrimisht në korrik jemi detyruar t’i ndërmarrim disa masa drastike duke kërkuar që të ulen shpenzimet e pagave, shpenzimet e tjera të panevojshme, të bëhet një rishikim i buxhetit dhe kemi arritur që me shumë mund të kthejmë Telekomin me plus minimal”, u shpreh Krasniqi.

Debatin e plotë të KALLXO Pernime rreth punësimeve për vota mund ta ndiqni në linkun e mëposhtëm: