
Krasniqi promovon punën e IRDK-së: Fushë Kosovën e presin edhe shumë projekte po aq jetike sa uji i pijes
Kryetari i Iniciativës së Re Demokratike e Kosovës (IRDK), Elbert Krasniqi, po vazhdon fushatën elektorale për zgjedhjet që do të mbahen 09.02.2025.
Përmes një videoje të publikuar në Facebook, Krasniqi ka promovuar punën për furnizimin për ujë të pijes në lagjet 28 dhe 29 në Fushë Kosovë.
Sipas tij, në mandatin tjetër Fushë Kosovën e presin edhe shumë projekte po aq jetike sa uji i pijes.
“Lagjja 28 dhe 29 këto lagje me njerëz punëtorë e zemërgjerë u harruan për vite nga niveli qendror dhe u neglizhuan secilën herë nga niveli lokal. Sa afër Prishtinës, sa afër Kryeqendrës por ishin larg me kyçje në ujin e pijës. U zotuam se pa ujë s’do ti lëmë dhe jam krenar që këtij zotimi i dolëm ballë, dhe sot këta banorë kanë ujin e pijes”- ka thënë Krasniqi më 18.01.2025.
Fushata pёr zgjedhjet parlamentare nё Kosovё ka filluar zyrtarisht mё 11.01.2025.
Për njё muaj partitë politike pritet të mbajnë tubime elektorale me qytetarët për të fituar besimin e tyre në garën për zgjedhjet parlamentare të 09.02.2025.
Për këto zgjedhje janë certifikuar 28 subjekte politike me 1,280 kandidatë.
Sipas Ligjit, gjatë periudhës së fushatës zgjedhore subjektet politike kanë të drejtë:
– të organizojnë dhe të mbajnë tubime/ngjarje politike, tryeza të rrumbullakëta, konferenca për shtyp, fjalime, ose ndonjë aktivitet tjetër të ngjashëm, përmes së cilave ata mund t’i shprehin lirisht mendimet e tyre, me qëllim të fitimit të përkrahjes nga votuesit e tyre;
– të publikojnë dhe të shpërndajnë afishe, reklama dhe material tjetër, lidhur me një fushatë zgjedhore; të bëjnë fushatë përmes cilitdo operator televiziv, të radios apo kabllor, gjithashtu edhe përmes revistave, shtypit, rrjetit telefonik, sistemit postar ose çdo lloj mjeti tjetër reklamues, në pajtim me rregullat e KQZ-së dhe ligjet tjera në fuqi.
Këto do të jenë zgjedhjet e para të rregullta që Kosova mban që nga shpallja e Pavarësisë më 2008.