Krasniqi premton qendër kulturore për komunitetin egjiptian në Gjakovë 

Kryetari i Iniciativës së Re Demokratike (IRDK), Elbert Krasniqi, po vazhdon fushatën elektorale për zgjedhjet që pritet të mbahen më 09.02.2025. 

Krasniqi, përmes një video të publikuar në profilin e tij në Facebook, ka premtuar ndërtimin e një qendre kulturore për komunitetin egjiptian në Gjakovë. 

“IRDK do të ndërtojë qendrën kulturore për komunitetin egjiptian, një hapësirë për koncerte, shfaqje teatrale dhe aktivitete kulturore. Zgjedhja e qytetit të Gjakovës si lokacion, është një pikë e rëndësishme për historinë dhe kontributin artisik të komunitetit duke pasë parasysh trashëgiminë e figurave si Fahri Vraniqi dhe Hadi Bajrami”- ka thënë Krasniqi nga IRDK. 

Ai thotë se kjo qendër do të përfshijë salla për aktivitete kulturore, hapësira për organizata joqeveritare dhe për galeri arti. 

Fushata pёr zgjedhjet parlamentare nё Kosovё ka filluar zyrtarisht mё 11.01.2025.

Për njё muaj partitë politike pritet të mbajnë tubime elektorale me qytetarët për të fituar besimin e tyre në garën për zgjedhjet parlamentare të 09.02.2025.Për këto zgjedhje janë certifikuar 28 subjekte politike me 1,280 kandidatë.

Sipas Ligjit, gjatë periudhës së fushatës zgjedhore subjektet politike kanë të drejtë:

– të organizojnë dhe të mbajnë tubime/ngjarje politike, tryeza të rrumbullakëta, konferenca për shtyp, fjalime, ose ndonjë aktivitet tjetër të ngjashëm, përmes së cilave ata mund t’i shprehin lirisht mendimet e tyre, me qëllim të fitimit të përkrahjes nga votuesit e tyre;

– të publikojnë dhe të shpërndajnë afishe, reklama dhe material tjetër, lidhur me një fushatë zgjedhore; të bëjnë fushatë përmes cilitdo operator televiziv, të radios apo kabllor, gjithashtu edhe përmes revistave, shtypit, rrjetit telefonik, sistemit postar ose çdo lloj mjeti tjetër reklamues, në pajtim me rregullat e KQZ-së dhe ligjet tjera në fuqi.

Këto do të jenë zgjedhjet e para të rregullta që Kosova mban që nga shpallja e Pavarësisë më 2008.