Krasniqi: Pezullimi i shtrenjtimit të rrymës, fitore ligjore e PDK-së

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, e ka quajtur fitore ligjore të PDK-së vendimin e Gjykatës së Apelit për pezullimi e shtrenjtimit të energjisë elektrike nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë.

Krasniqi tha se tash e tutje, rreth 450 mijë familje kosovare do të paguajnë energjinë elektrike pa ngritje të çmimit.

“Sot, jam shumë i lumtur që ky vendim i padrejtë dhe i paarsyeshëm i Qeverisë dhe ZRRE-së, tashmë është konfirmuar edhe nga Gjykata e Apelit se ka qenë vendim i kundërligjshëm”, tha Krasniqi.

Krasniqi gjithashtu ka falënderuar secilin qytetar anekënd Kosovës që i ka besuar kauzës së tyre dhe që e kanë mbështetur angazhimin opozitar për të ndaluar këtë haraç të padrejtë të pushtetit mbi ta”, tha ai.

Lideri i PDK-së theksoi se rritja e çmimit të energjisë elektrike për familjet kosovare ka qenë një zgjidhje e paramenduar dhe e projektuar nga Qeveria Kurti, e cila përmes ZRRE-së, edhe e ka bërë një gjë të tillë në muajin shkurt, kur mori vendim për rritjen e tarifave.

“Në parim, është një precedent shumë i keq fakti se një institucion që do të duhej të ishte i pavarur si ZRRE-ja, është vënë në zbatim ekskluziv të projeksioneve të pushtetit, dhe këtë e ka bërë me një injorim të plotë për interesin qytetar dhe me një ftohtësi të plotë”, tha ai.

Krasniqi kritikoi mazhorancën në Kuvend dhe Qeverinë Kurti për mungesë konsiderate ndaj kostos së papërballueshme të çmimit të energjisë elektrike që ishte vendosur për qytetarët me tarifat e reja.

“PDK si lidere e opozitës me ekipet e saj ligjore, në mbrojte të interesit publik dhe interesit të qytetarëve si konsumatorë është angazhuar maksimalisht për të kërkuar pezullimin e zbatimit të këtij vendimi të ZRRE-së”, tha ai.

Krasniqi ka përmendur këtë vendim të Apelit si fitore ligjore të PDK-së.

“Natyrisht, kjo fitore ligjore e PDK-së, me mbështetjen edhe të partive tjera opozitare, ndaj pushtetit dhe vendimeve të kundërligjshme të tij, nuk është fitore politike ndaj pushtetit, por fitore meritore për të drejtat e qytetarëve përballë autoritetit të pushtetit kur ai autoritet përdoret kundërligjshëm dhe në dëm të interesit publik. Kjo e shton përgjegjësinë tonë politike dhe Partia Demokratike e Kosovës, si në këtë rast, do të vazhdojë të qëndrojë në anën e qytetarëve kundër çdo vendimi të kundërligjshëm e të padrejtë të pushtetit”, përfundoi Krasniqi.

Gjatë ditës së djeshme, rritja e çmimit të energjisë elektrike për konsumatorët që tejkalojnë konsumin e 800 kilovatëve është pezulluar përfundimisht nga Gjykata e Apelit.

Apeli pezulloi shtrenjtimin e rrymës (kallxo.com)