Krasniqi: Për Kosovën dhe PDK-në miqësia me SHBA-në është e shenjtë

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, është pritur në Washington DC në një darkë pune nga kongresmenë, ish-kongresmenë, ish-ambasadorë, gjeneralë të pensionuar dhe zyrtarë të tjerë të lartë të institucioneve të rëndësishme në SHBA.

PDK bën të ditur se Krasniqi i ka njoftuar të pranishmit për situatën politike dhe sigurinë në Kosovë.

“Jashtëzakonisht i nderuar që për nder të vizitës time në Washington DC, u prita në një darkë pune shumë produktive me kongresmenë, ish-kongresmenë, ish-ambasadorë, gjeneralë të pensionuar dhe zyrtarë të tjerë të lartë të institucioneve të rëndësishme në SHBA. Kongresmenin e Michiganit John Moolenaar, atë të Marylandit Dutch Ruppersberger, të Virginias Ben Cline dhe pjesëmarrësit e tjerë – i njoftova me situatën aktuale politike dhe të sigurisë në Kosovë” – citohet të ketë thënë Krasniqi sipas komunikatës.

Tutje sipas komunikatës, Krasniqi ka thënë se për Kosovën dhe PDK-në miqësia dhe aleanca me SHBA-të është e shenjtë.

“Nga miqtë e mirë të Kosovës, të cilët ndjekin me vëmendje zhvillimet në Kosovë, kërkova që të vazhdojnë kontributin e tyre të rëndësishëm për vendin tonë, posaçërisht në këtë periudhë të sfidave të shumta. Ndihma e miqve amerikanë për garantimin e sigurisë dhe proceseve integruese të Kosovës është më e nevojshme se kurrë më parë. Në emër të qytetarëve të Kosovës, së bashku me ish-ambasadorin Ahmet Shala, të gjithë të pranishmit i falënderuam për mbështetjen e tyre historike dhe të vazhdueshme për vendin dhe popullin tonë”, citohet të ketë thënë tutje ai.

Krasniqi këtë jave është duke qëndruar në SHBA.

Në një vizitë të ndarë, në SHBA, është duke qëndruar edhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku.