Krasniqi për akuzat e reja: Deklarohem i pafajshëm, vepra të tilla nuk kam kryer në jetën time

Katër të krerët e UÇK-së të cilët po mbahen në qendrën e paraburgimit në Hagë po përballen me akuza të reja. Kjo pasi Zyra e Prokurorit të Specializuar ka paraqitur aktakuzë të ndryshuar ku i ka zgjeruar akuzat për krime lufte, torturë dhe vrasje të paligjshme.

Te aktakuza e zgjeruar, sipas prokurorisë krimet janë kryer edhe në konviktet e Gjilanit, në Budakovë dhe Semetishtë. Personat që janë ndaluar dhe dërguar në këto zona përshkruhet se ishin serbë, bashkëpunëtorë të tyre ose përkrahës të LDK-së.

Sot gjatë paraqitjes së tij në seancën gjyqësore, Jakup Krasniqi mes lotësh ka thënë se deklarohet i pafajshëm dhe se për veprat për të cilat ai po akuzohet ka thënë se nuk i ka kryer kurrë në jetën e tij.

“Unë zotëri gjyqtar e kam lexuar dokumentat edhe këtë shtesën e fundit dhe muj me thënë me bindje të plotë se e kam vështirë të kuptoj edhe akuzën e parë edhe vazhdimin pasi jam i bindur se veprat e tilla kurrë nuk kam kryer në jetë time prandaj deklarohem krejtësisht i pa fajshëm dhe natyrisht kërkojmë që gjyqi të shpejtohet dhe të mos na mbajë kaq gjatë pa drejtësisht në paraburgim”, ka thënë Krasniqi.

Krasniqi tha se gjatë gjithë jetës së tij ka qenë njeri me integritet në mënyrë të qartë me të fortin dhe se sipas tij nuk ka shfaqur asnjherë shenja egërsie ndaj të dobtit.

“Kërkoj që të më kuptoni drejtë. Gjatë gjithë jetës sime kam qenë njëri me integritet në mënyrë më të qartë në raport me më të fortin. Por për më të dobtin kurrë nuk i kam shfaqur as shenja egërsie e as përbuzje, veç dhembshurisë njerëzore. Padrejtësisë sado e rrezikshme që ishte dhe është edhe sot se është nisur nga e njëjta logjike që e kam jetuar në Jugosllavi, nuk jam përgjegjur me heshtje asnjëherë”, ka thënë Krasniqi.

Ai deklaroi se akuzat e ngritura, mbështeten mbi bazën e gënjeshtrave të Serbisë, e cila sipas tij, po e cenon rëndë jetën lirinë e të drejtën e indvidëve dhe të drejtën e një populli për liri.

“Sot po i them vetëm pak fjalë. Mbase jam gabim por, kurrë nuk kisha besuar sikur mos të ishte ky rast se juristë të shkolluar në vendet me demokraci liberale me traditë që pretendojnë që jetojnë në një sistem të drejtësisë  kredibile, për të bërë drejtësi standarde, guxojnë të ngritin një akuzë që mbështetet vetëm e vetëm mbi bazën e gënjeshtrave të Serbisë dhe e cila cenon rëndë jetën lirinë e të drejtën e individit dhe jo vetëm të individit, madje e godet tepër rëndë në palcë të kurrizit të drejtën e një populli për liri e shtet ndërtim me një pa drejtësi të madhe”, deklaroi Krasniqi.

“Mua më vjen turp sepse po jetoj në këtë kohë të këtij lloj homosapeinizmi që me kaq lehtësi ua shkatërron jetën njerëzve dhe familjeve që guxuan të luftojnë për jetën në liri, për demokracinë, e pavarësinë një regjim tepër ndër më kriminelët e pas Luftës së Dytë Botërore. Madje në atë kohë nuk mendoj se ka pasur një regjim të tillë kriminal e gjenocidal sa e si ishte regjimi i Millosheviqit të cilit nuk po i mungon as qimja e flokut”, shtoi ai.

Gjykatësi i procedurës paraprake, Nicolas Guillou, paraprakisht tha se sot nuk ka gjykim dhe se nuk do të debatohet për prova të reja.

“Sot nuk kemi gjykim, nuk do të paraqiten prova apo të debatohen prova. Qëllim i kësaj paraqitje vijuese rregullohet me nenin 39 të ligjit dhe rregullën 92 të rregullores. Në pajtim me këto dispozita, unë si gjykatës i procedurës paraprake ia lexoj të akuzuarit akuzat e reja të përfshira në aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar”, ka thënë gjykatësi Guillou.

“Konfirmoj nëse ai e kupton akuzat e reja, bindem që të drejtat e akuzuarit dhe veçanërisht e drejta e tij për të pasur avokat respektohet dhe informoj të akuzuarin se brenda 30 ditësh ai do të ftohet të vetë deklarohet fajtor ose jo fajtor në lidhje me secilën aktakuzë rë të përfshirë në aktrakuzën e konfirmuar të ndryshuar. Nëqoftëse i akuzuari dëshiron, ai mund të deklarojë sot në lidhje më fajësinë ose pa fajësinë”, ka shtuar gjykatësi.

Sekretarja e gjykatës ia ka lexuar aktakuzën Krasniqit, i cili tha se i ka kuptuar dhe se është i bindur që nuk ka as njëlloj përgjegjësie.

“Akuzat natyrisht që i kuptova, gjuhën shqipe e kuptoj mirë. Unë jam i bindur që asnjë lloj të përgjegjësisë nuk e kam për këtë që e dëgjuam”, tha Krasniqi.

Më pas gjykatësi Guillou, e ka pyetur Krasniqin se nëse ka pasur kohë që të diskutojë me avokatin mbrojtës lidhur me aktakuzën e ndryshuar.

“Kam biseduar me avokatin dhe ekipin mbrojtës. Ndjehem krejtësisht i pafajshëm”, u përgjigj Krasniqi.

Sot, në seanca të ndara në Hagë do të bëhet paraqitja e mëtejshme e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Kjo pasi Zyra e Prokurorit të Specializuar ka paraqitur aktakuzë të ndryshuar ku i ka zgjeruar akuzat për krime lufte, torturë dhe vrasje të paligjshme.

Këto krime sipas prokurorisë janë kryer edhe në konviktet e Gjilanit, në Budakovë dhe Semetishtë.

Personat që janë ndaluar dhe dërguar në këto zona përshkruhet se ishin serbë, bashkëpunëtorë të tyre ose përkrahës të LDK-së.

Lidhur me këto raste, katër krerët e UÇK-së akuzohen për krime dhe vrasje, tortura, keqtrajtim në bazë të përgjegjësisë komanduese.

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi e Jakup Krasniqi po vazhdojnë të mbahen në paraburgim pasi gjyqtari i procedurës paraprake konsideron se akoma ekzistojnë rreziqet që njëjtit t`i ikin gjykatës ose të pengojnë zhvillimin normal të procedurës penale.

Ata ishin arrestuar në nëntor të vitit të vitit 2020 nën akuzat për krime të luftës pasi aktakuza ndaj tyre ishte konfirmuar.

Të gjitha akuzat që prokuroria pretendon se ishin kryer nga ata e tyre ishin hedhur poshtë nga katër krerët e UÇK-së.

Sipas prokurorisë së specializuar gjatë marsit 1998 dhe shtatorit 1999, Thaçi, Selimi, Krasniqi dhe Veseli akzuohen se kishin kryer krime të luftës dhe krime kundër njerëzimit duke arrestuar dhe ndaluar persona civil në mënyrë të paligjshme, duke i trajtuar në mënyrë mizore, torturuar dhe zhdukur.

Në mesin e shumë akuzave bëjnë pjesë edhe ato të vrasjeve të paligjshme.

Për të gjitha këto krime të pretenduara, Prokurori Xhek Smith i ngarkon Hashim Thaçin, Rexhep Selimin, Jakup Krasniqin e Kadri Veselin, të cilët sipas tij ishin në dijeni se këto krime ishin duke ndodhur dhe nuk kishin ndërmarrë asnjë veprim për parandalimin e tyre mirëpo kishin nxitur kryerjen.

Sipas prokurorisë krerët e UÇK-së përmes deklaratave publike dhe veprimeve në terren, frikësuan, denigruan, eliminuan kundërshtarë dhe kërkuan të pozicionoheshin si i vetmi zë dhe si i vetmi përfaqësues legjitim i shqiptarëve të Kosovës

Pjesë e aktakuzës 68 faqesh të Prokurorisë janë edhe pretendimet për vrasje të paligjshme.

Këto vrasje theksohet se janë kryer në territore të ndryshme të Kosovës dhe Shqipërisë. Sipas prokurorisë ato janë kryer në Likoc, Jabllanicë, Llapushnik, Drenoc, Malishevë, Bajgorë, Majac, Zllash, Kleҫkë, Kukës dhe Rahovec.

Në aktakuzë thuhet se një person gjatë vitit 1998 ishte mbajtur në kazermat e UÇK-së në Jabllanicë dhe ishte rrahur për vdekje nga pjesëtaret e UÇK-së.

Aktakuza pretendon se fatin e njëjtë e kishin pasur edhe dy viktima të tjera të cilat ishin dërguar në kazermën e UÇK-së në Jabllanicë.

Përpos vrasjeve në Jabllanicë në aktakuzë pretendohet se në fshatin Llapushnik ishte arrestuar një person nga pjesëtaret e UÇK-së ishte rrahur dhe ishte marrë në pyetje dhjetë natë rresht ndërsa në fund ishte vrarë.

Aktakuza tutje pretendon se pas një ofensive serbe, forcat e UÇK-së në Llapushnik kishin arrestuar afërsisht 30 persona, disa prej tyre më pas ishin lënë të lirë ndërsa të tjerët ishin qëlluar dhe vrarë.

Aty përshkruhet edhe për gjashtë vrasje të kryera në Drenoc. Sipas prokurorisë gjashtë burra ishin arrestuar, rrahur dhe vrarë dhe eshtrat e tyre nuk ishin parë më kurrë.

Pjesë e aktakuzës janë edhe akuzat për vrasjen e 11 civileve serb në Malishevë. Sipas aktakuzës në korrik të vitit 1998 një grup prej 11 të arrestuarish serbë u transferuan në një dhomë në bodrumin e një ndërtese në Malishevë. Aty përshkruhet se këta civil ishin rrahur dhe shqelmuar nga anëtarët e UÇK-së e më pas ishin qëlluar dhe vrarë.

Prokuroria e Specializuar në këtë aktakuzë nuk e ka lënë pa e përfshirë edhe qendrën e paraburgimit në Kleçkë.

Në këtë lokacion sipas prokurorit të specializuar gjashtë persona ishin dërguar dhe ishin rrahur për vdekje nga anëtaret e UÇK-së.

Një tjetër person sipas prokurorit të specializuar kishte vdekur si rezultat i keqtrajtimit në Kukës. Në këtë keqtrajtim thuhet se kishte marrë pjesë edhe Sabit Geci.

Tre persona të tjerë ishin arrestuar në Rahovec, ata sipas aktakuzës ishin rrëmbyer nga ushtarët e UÇK-së në shtëpitë e tyre ndërsa nuk ishin parë më kurrë.

Arsyeja se pse krerët e UÇK-së akuzohen për krimet dhe vrasjet e si përmendura sipas prokurorit të Specializuar është përgjegjësia komanduese.

Të gjithë historikun e këtij rasti mund ta lexoni duke klikuar në këtë link.