Krasniqi pas Takimit me Lajçak: Shpreha rezervat që i kemi për marrëveshjen 

Në ditën e dytë të qëndrimit të tij në Kosovë, i dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak po takohet me përfaqësuesit e partive politike opozitare në vend.

Kryetari i Partisë Demokratikë të Kosovës, Memli Krasniqi është deklaruar për media pas takimit që ka mbajtur me të dërguarin e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, duke treguar se të njëjtit i ka shprehur rezervat e PDK-së sa i përket propozimit për marrëveshje.

“Sapo zhvilluam një takim miqësor, të hapur me zotin Lajçak, shpreha rezervat që i kemi për marrëveshjen, për arsyet që i kemi diskutuar edhe në të kaluarën. Fatkeqësisht ajo që kemi sot në tavolinë është një marrëveshje e përkohshme, jo me njohje të ndërsjellë, por me asociacionin në qendër” –  tha Krasniqi para mediave.

Krasniqi është shprehur se pa njohje të ndërsjellë, do të ketë vazhdim të dialogut.

“Këto qëndrime tona nuk janë befasuese për partnerët, sepse kemi qenë në komunikim. Pa njohje të ndërsjellë, ne do të kemi vazhdim të dialogut, një vazhdimësi të pafundme, i cili do të jetë kushedi sa i gjatë, krijon një statusquo të re. Ne e shohim marrëveshjen si të pamjaftueshme, që nuk i adreson qëllimet e Kosovës” – ka shtuar ai.

Kreu i PDK-së gjithashtu është pyetur nëse PDK-ja do ta votoj dokumentin e nënshkruar.

“Është obligim të sillet në kuvend, marrëveshja e plotëson kriteret e nenit 18, të Kushtetutës, nenin 1. Kurdo që të vjen, e shohim. Ky tekst kështu që është s’do ta ketë dhe s’mund ta ketë votën e PDK-së. Marrëveshja reale është të aneksi, te plani i implementimit dhe ky do të jetë për të marrë edhe vendimin final” – ka qenë përgjigja e Krasniqit.

Ai tutje ka thënë se nuk kanë parë asnjë draft-plan të zbatimit, as sot e as një ditë tjetër.

Lajçak ka ardhur të enjten në Kosovë, ku ka zhvilluar takime me presidenten Vjosa Osmani, kryeministrin Albin Kurti dhe zëvendëskryeministrin për dialog, Besnik Bilisimi.

Pas takimit me kryeministrin Albin Kurti, i dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak ka thënë se kryeministri i Kosovës dhe presidenti i Serbisë janë pajtuar se nuk ka nevojë të diskutohet për Planin franko-gjerman, i cili synon normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.

Lajçak sot takon PDK-në, LDK-në dhe AAK-në