Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com
Krasniqi pas caktimit të datës së zgjedhjeve: Tani kemi një datë, e cila do të shënojë ikjen e një qeverie të papërgjegjshme
Kryetari i partisë më të madhe opozitare, Memli Krasniqi, ka reaguar pas caktimit të datës së zgjedhjeve të rregullta për Kuvendin e Kosovës nga presidentja Vjosa Osmani.
Presidentja Osmani ka caktuar 9 shkurtin 2025 si datë për mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare.
Përmes një postimi në Facebook, Krasniqi ka bërë të të ditur se PDK ka kërkuar që data e zgjedhjeve të rregullta parlamentare të jetë 26 janari i vitit të ardhshëm.
“Për ne kjo shtyrje është e panevojshme, por tashmë kjo ka pak rëndësi. Mbi të gjitha, e rëndësishme është se tani kemi një datë, e cila do të shënojë ikjen e një qeverie të papërgjegjshme dhe ardhjen e një tjetre, kredibile e të aftë, në krye me Bedri Hamzën”- ka shkruar ai në Facebook.
Krasniqi ka thënë se me PDK-në dhe Bedriun në timon, Kosova do të rikthehet në rrugën e munguar të zhvillimit, integrimit, partneritetit e miqësisë së mirëfilltë.
Postimi i plotë i Memli Krasniqit:
Edhe pse si PDK kishim kërkuar që data e zgjedhjeve të rregullta parlamentare të jetë 26 janari i vitit rë ardhshëm, sot Presidentja e Kosovës ka dekretuar 9 shkurtin 2025 si datë kur qytetarët duhet t’u drejtohen kutive të votimit.
Për ne kjo shtyrje është e panevojshme, por tashmë kjo ka pak rëndësi. Mbi të gjitha, e rëndësishme është se tani kemi një datë, e cila do të shënojë ikjen e një qeverie të papëregjegjshme dhe ardhjen e një tjetre, kredibile e të aftë, në krye me Bedri Hamzën.
Siç na e dëshmon edhe historia, me PDK-në dhe Bedriun në timon, Kosova do të rikthehet në rrugën e munguar të zhvillimit, integrimit, partneritetit e miqësisë së mirëfilltë. Është koha që të bëhemi bashkë edhe një herë për Kosovën që e ëndërrojmë të gjithë.