Krasniqi para Komisionit Parlamentar: Që nga marrja e detyrës, misioni im ka qenë transparenca

Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi ka raportuar sot para Komisionit për administratë publike, pushtet lokal, media dhe zhvillim rajonal.

Ministri, Krasniqi ka folur për të arriturat e MAPL-së, duke përfshirë këtu punët e përfunduara që nga marrja e mandatit të ministrit dhe projektet në të ardhmen të cilat përfshijnë plotësimin e kuadrit ligjor, projektligjin për Sistemin e Menaxhimit të Performancës Komunale dhe Skemës së Granteve për Komuna dhe projekt Ligjin për Vetëqeverisje Lokale të cilat janë miratuar në Qeveri dhe janë procesuar për në Kuvend.

Ministri Krasniqi ka theksuar se që nga marrja e mandatit ka pasur synim dhe qëllim kryesor qeverisjen e hapur, transparencën dhe digjitalizimin e shërbimeve, duke përmendur hartimin e planit kombëtar të veprimit për qeverisje të hapur në kuadër të Partneritetit për Qeverisje – GOP dhe platformën E-Komunat e cila synon rritjen e transparencës dhe pjesëmarrjen e qytetarëve në nivelin lokal.

Deputetja Doarsa Kica- Xhelili disa nga çështjet kryesore që u diskutuan në mbledhjen e komisionit ishin ndryshimet ligjore.

“Ndryshimet e domosdoshme të Projektligjit për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Vetëqeverisjen Lokale. Tashmë ky projektligj është dërguar në Qeveri për miratim, që më pas të vij në Kuvend për procedim dhe miratim”, ka thënë Kica- Xhelili.

“U adresua problemi i ngritur nga asamblistët në Komunën e Vitisë (Komuna e Vitisë), lidhur me parregullsitë në thirrjen e mbledhjes së asamblesë komunale për dhënien e betimit. Kryesuesi i Kuvendit Komunal e ka obligim ligjor që të thërras mbledhjen e radhës para datës 16 dhjetor që t’i mundësoj dhënien e betimit asamblistëve që nuk kanë arritur ta bëjnë këtë në mbledhjen e parë”, ka shkruar ajo.

Kica – Xhelili ka thënë tutje se “fakti se lëndët e MAPL-së që janë parashtruar përmes avokaturës shtetërore në gjykatat vendore, po zvarriten tashmë mbi 4 vite. Këto raste kanë të bëjnë, ndër të tjera, edhe me rastet e pretendimit lidhur me mos-zbatimit e vendimeve të MAPL-së nga komunat, apo edhe kundërligjshmërinë e vendimeve dhe veprimeve në nivel komunal. Kjo fatkeqësisht pasqyron gjendjen e përgjithshme pranë gjykatave vendore dhe zvarritjen e skajshme të rasteve”.