Krasniqi: Pandemia nuk duhet të jetë një çështje e luftës së brendshme politike

Kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka thënë se Qeveria e Kosovës po qëndron në distancë në raport me menaxhimin e pandemisë së COVID-19.

Ai ka publikuar të dhëna, ku veni ynë kryeson listat për shifra të vdekjeve dhe rasteve pozitive nga COVID-19.

“Statistikat e institucioneve me renome botërore, si Universiteti “Johns Hopkins”, po e rëndisin Kosovën ndër vendet e para në botë për infektime të reja dhe humbje jetësh nga Covid-19, në proporcion me popullsinë. Kjo tragjedi, që po thellohet çdo ditë, duhet të na shqetësojë e alarmojë të gjithëve, pa dallim”, shkroi Krasniqi në Facebook.

Nga gjithë kjo situatë, ia ka thënë se po humbin të gjithë. Kryetari i PDK-së bëri thirrje që menaxhimi i pandemisë mos të shihet si luftë e brendshme politike.

“Nëse nuk ndryshohet qasja aktuale e menaxhimit të pandemisë, pasojat do të jenë edhe më të rënda nga ato që sot qytetarët po i përjetojnë, ekonomia po i ndjen dhe profesionistët shëndetësorë po i vuajnë, për shkak të qëndrimit në distancë të Qeverisë”, deklaroi ai.

“Pandemia nuk duhet të jetë një çështje e luftës së brendshme politike, por front i përbashkët në interes të qytetarëve. Për këtë kam apeluar gjithnjë. Edhe sot, unë nuk po flas vetëm nga pozicioni i liderit opozitar, por si njeri që ndjen dhimbjen e secilës familje që është në ankthin e pandemisë – dëmi i së cilës është i gjithanshëm e kompleks”, vlerësoi lideri opozitar.

Në fund, ai bëri thirrje për vaksinim sa më shumë të qytetareve, ndërsa pati edhe një këshillë për ekzekutivin që e drejton Albin Kurti.

“Është këshillë e vlefshme që qytetarët të vazhdojnë të mbajnë distancë me njëri-tjetrin, si masë mbrojtëse nga Covid-19. Por, është po aq e vlefshme që Qeveria të mos mbajë distancë me qytetarin, siç ka bërë deri tash”, tha Krasniqi.

Ministria e Shëndetësisë, sipas të dhënave nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës, ka njoftuar sot se në 24 orët e fundit kanë vdekur 18 të infektuar me COVID-19.

Ministria po ashtu ka njoftuar se 1 mijë e 891 persona kanë rezultuar pozitivë me COVID-19.