Krasniqi: Pa komandantin Adem Jashari vështirë se do të kishte një Ushtri Çlirimtare

Kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, në seancën solemne të shënimit të 25 vjetorit së Epopesë së UÇK-së ka thënë se sakrifica e familjes Jashari dhe Marsi i 98-tës, vunë themelet e Kosovës së pavarur.

Krasniqi tha se pa komandantin Adem Jasharin vështirë se do të kishte pasur një Ushtri Çlirimtare.

Ai shtoi se Epopeja e UÇK-së përfaqëson një epokë që i bën bashkë të gjitha ngjarjet e luftës për kauzën kombëtare.

“Pa Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës nuk do të kishte pasur kurrë një Kosovë të lirë e të pavarur. Pa Adem Jasharin dhe Marsin e Lavdishëm të 98-tës, vështirë se do të kishte pasur një Ushtri Çlirimtare. Prandaj, vlera e kësaj Epopeje, nuk mund të kuptohet si një ngjarje në kuadrin e historisë, por si një epokë që i bën bashkë të gjitha ngjarjet. UÇK-ja e ka mbrojtur pragun e shtëpisë, por nuk ka luftuar vetëm për pragun e shtëpisë. Ka luftuar për kauzën tonë kombëtare shekullore. Ka luftuar për drejtësinë historike”- ka thënë Krasniqi.

Krasniqi ka kujtuar edhe krerët e UCK-së që po mbahen në qendrën e paraburgimit në Hagë.

“Me këtë rast, në këtë ditë të lavdisë shembullore, na mungojnë bashkë-rrugëtarët e Adem Jasharit, që nuk ju ndanë rrugës së tij deri në bërjen e Kosovës shtet të lirë e të pavarur, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi, dhe bashkëluftëtarët e tyre, që të privuar nga liria, po mbahen larg nesh në betejën e fundit për të vërtetën e luftës së drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, theksoi kreu i PDK-së”- ka thënë ai.

Kuvendi i Kosovës po mban sot seancë solemne për shënimin e 25 – vjetorit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Pjesëmarrës në këtë seancë solemne është edhe Rifat Jashari dhe familjar të tjerë të familjes Jashari.

Më 5 mars në Kosovë ka filluar Epopeja  e UÇK-së, që këtë vit shënon 25 vjetorin e rënies së familjes heroike Jashari në Prekaz.

5, 6, dhe 7 marsi shenojnë përvjetorin e rënies së komandantit legjendar Adem Jasharit, familjes së tij dhe Jasharëve të tjerë.