Elbert Krasniqi Foto: Fatrion Ibrahimi/Kallxo.com

Krasniqi: Nuk ka ndonjë lëvizje për statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe

Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL), Elbert Krasniqi, në një intervistë për “KALLXO Pernime” është pyetur lidhur me hartimin e statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe. 

Krasniqi deklaroi se kjo nuk është në agjendën e tij ditore si ministër e si rrjedhojë deklaroi se nuk ka asnjë lëvizje në këtë drejtim. 

“Ne, në një shtet multietnik nuk kemi hapësirë për një asociacion njëetnik dhe këtë e bazojmë edhe në vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Mirëpo në detyrën time ditore si ministër, kjo aspak nuk është temë. Na ndërlidhin shumë me Asociacionin e komunave serbe, mirëpo ne si Ministri jemi shumë të interesuar që të ndikojmë drejtpërdrejt në performancën e mirë të komunave, transparencën në nivel lokal, bashkëpunim dhe Asociacioni i Komunave të Kosovës është ajo që ne mund t’i referohemi në këtë moment për bashkëpunimet tona. Por Asociacioni i komunave serbe nuk është temë dhe sigurisht nuk ka asnjë lëvizje të asnjë lloji”, u shpreh ministri Krasniqi. 

Krasniqi tha se edhe me plotësim-ndryshimin e Ligjit të vetëqeverisjes lokale nuk ka ndonjë ndryshim në pjesën e formimit të asociacionit të komunave. 

Asociacioni apo Bashkësia e komunave me shumicë serbe paraqet gurin e themelit të marrëveshjes së 19 prillit 2013 mes Kosovës e Serbisë, ku gjashtë nga 15 pikat e marrëveshjes janë të fokusuara në krijimin e tij.

Në tetor të vitit 2015, kjo marrëveshje u dërgua për interpretim në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës. Gjykata Kushtetuese, në vendimin e nxjerrë në dhjetor të vitit 2015, tha se Marrëveshja për Asociacionin në 23 pika të saj nuk është në harmoni me Kushtetutën e Kosovës.

Gjykata kishte konstatuar që Asociacioni i komunave me shumicë serbe mund të themelohet, siç ishte paraparë me Marrëveshjen e parë të Brukselit në vitin 2013. Ndërsa, Marrëveshja mbi parimet për themelimin e Asociacionit e vitit 2015 nuk është tërësisht në përputhje me frymën e Kushtetutës.

Gjykata Kushtetuese kishte konstatuar që akti juridik i Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe statuti që implementon parimet, për të qenë në pajtueshmëri me frymën e Kushtetutës duhet të plotësojë standardet kushtetuese.

Marrëveshja fillestare e vitit 2013 parashihte se Asociacioni do të themelohej dhe do të ishte funksional deri në fund të atij viti. Mirëpo, implementimi pati një lloj ngecje deri në verën e vitit 2015. 

Kosova është përballur me presion të vazhdueshëm ndërkombëtar që të implentohet kjo marrëveshje, e rrjedhimisht edhe formimi i Asociacionit.