Krasniqi nga Skenderaji: Thirrja jonë emergjente shkon edhe një herë për Qeverinë

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi ka vizituar Skenderajin pas vërshimeve dhe përmbytjeve të djeshme me të cilat është prekur.

“Fatkeqësisht, dëmet janë të mëdha. Fatmirësisht, humbje në njerëz nuk ka” – ka shkruar Krasniqi.

Krasniqi ka përgëzuar bashkëpartiakët e tij që qeverisin në këtë Komunë për “reagimin efikas dhe dinjitoz, brenda mundësive dhe kapaciteteve të tyre, por, mbi të gjitha, që në këtë ditë të vështirë mobilizoi dhe bashkoi të gjithë qytetarët në ndihmë të njëri-tjetrit”.

Ai ka thënë se në këto momente sfide thirrja e tyre emergjente shkon edhe një herë për Qeverinë e Kosovës.

“Gjendja është e rëndë, me dëme të mëdha materiale dhe infrastrukturë të bllokuar publike. Prandaj, reagimi i nivelit qendror duhet të jetë konform situatës emergjente, me të gjitha kapacitetet shtetërore, përfshirë krijimin e një pakoje financiare për kompensimin e të gjitha dëmeve që kanë pësuar qytetarët” – ka shkruar ai në rrjetin social “Facebook”.

Skenderaj është në mesin e komunave më të prekura nga vërshimet si pasojë e reshjeve të dendura të shiut.

Komuna e Skenderajt, ka krijuar 11 komisione komunale me nga 5 anëtarë të cilët do të dalin në teren menjëherë për të bërë vlerësimin e dëmeve të shkaktuara nga vërshimet.

Ndërsa sipas njoftimit edhe disa shërbime komunale nuk do të ofrohen.

Instituti Hidrometerologjik i Kosovës ka deklaruar, se situata e përgjithshme hidrometeorologjike në pjesën më të madhe të vendit, ditëve të fundit është përkeqësuar, si pasojë e rreshjeve intensive të shiut, sidomos në disa pjesë të vendit.