Krasniqi: Nëse Qeveria e përkrah KPK-në me buxhet edhe vitin e ardhshëm, nuk do të kemi problem për bashkëpunëtorë profesionalë

Në emisionin “Kallxo Përnime” në debatin për administratën e sistemit të drejtësisë po diskutohet lidhur me menaxhimin e resurseve njerëzore në Këshillin Gjyqësor dhe Këshillin Prokurorial të Kosovës si dhe lidhur me mungesën e vazhdueshme të buxhetit.

Valdrin Krasniqi, ushtrues detyre i drejtorit të Sekretariatit të Këshillit Prokurorial të Kosovës, ka deklaruar se sistemi prokuroral është duke bërë planifikim të duhur të stafit dhe arsyetim në detaje lidhur me nevojat e Këshillit.

Krasniqi ka treguar se për këtë vit Këshillit Prokurorial i janë lejuar 50 pozita, për çka ka treguar se pas përfundimit të proceseve të rekrutimit atëherë numri i bashkëpunëtorëve profesionalë do të shkojë në 140.

Valdrin Krasniqi theksoi se problemet me mungesën e stafit janë krijuar në vazhdimësi ndër vite, por ai tha se në rast se Qeveria vazhdon ta përkrahë Këshillin ashtu siç e ka bërë në fillim të vitit, atëherë deklaroi se për vitin e ardhshëm numri i bashkëpunëtorëve profesionalë do të jetë aq sa është e përcaktuar me Ligj.

“Problemet janë krijuar ndër vite dhe në qoftë se ne do të kemi një përkrahje ashtu siç e patëm në fillim të buxhetit për këtë vit, ku na u lejuan 50 pozita, në qoftë se Qeveria qoftë me rishikim të buxhetit apo me buxhetin e vitit të ardhshëm na lejon pozita shtesë mund të them lirisht se sa i përket bashkëpunëtorëve profesionalë nëse do të kemi përkrahje e 60 bashkëpunëtorëve profesionalë atëherë Këshilli Prokurorial në vitin e ardhshëm do të arrinte të zbatonte Ligjin të cilin e ka nxjerrë vetë Kuvendi”.

Në debat diskutohet edhe për mungesën e ekspertëve financiarë.

Aktualisht në të gjitha prokuroritë e vendit janë të angazhuar vetëm 6 ekspertë financiarë.

Në analizën e publikuar nga Rrjeti Ballkanik për Gazetari Hulumtuese – BIRN është vënë në pah fakti se aktualisht në sistemin prokurorial janë 91 bashkëpunëtorë profesionalë, të cilët u shërbejnë 176 prokurorëve.

Ndonëse me Ligjin për Prokurorinë e Shtetit është fare e qartë e përcaktuar se çdo prokuror për kryerjen e përgjegjësive të tyre duhet të ketë së paku nga një bashkëpunëtor profesional, në praktikë një e gjë e tillë nuk korrespondon.

Në bazë të analizimit të të dhënave rezulton se në vitin 2015, përafërsisht për një prokuror kanë punuar 2.31 persona, ndërsa në vitin 2022 për një prokuror i bie të punojnë 2.89 persona.

Analizën e detajuar rreth menaxhimit të resurseve njerëzore në KGJK dhe KPK mund ta lexoni duke klikuar në këtë link: https://kallxo.com/gjate/pavaresia-financiare-e-cunguar-e-keshillit-gjyqesor-dhe-prokurorial-te-kosoves/