Krasniqi në takimin me Ramën kërkon të vazhdojë mbajtja e mbledhjeve të përbashkët mes dy qeverive

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama Gjatë vizitës së tij në Kosovë është pritur në takim nga lideri i partisë më të madhe opozitare në Kosovë Memli Krasniqi, nga Partia Demokratike e Kosovës.

Përmes një komunikate për media të lëshuar nga PDK thuhet se Krasniqi shprehu vullnetin e tij të përhershëm dhe të PDK-së, për të kultivuar raporte të afërta e miqësore me të gjitha institucionet e Republikës së Shqipërisë, si dhe uroi Edi Ramën për marrjen e mandatit të tretë si kryeministër i Qeverisë së Shqipërisë.

“Duke shprehur falënderimin për urimet e z. Rama me rastin e zgjedhjes time në krye të PDK-së, shpreha vullnetin tim dhe të përhershëm të PDK-së, për të kultivuar raporte të afërta e miqësore me të gjitha institucionet e Republikës së Shqipërisë”, tha Krasniqi.

PDK e vlerëson jashtëzakonisht të rëndësishëm thellimin e bashkëpunimit mes Kosovës dhe Shqipërisë, andaj sipas komunikatës Krasniqi e Rama u pajtuam për nevojën e forcimit të mëtejmë të lidhjes dhe koordinimit mes dy vendeve.

“Për këtë qëllim, konsideroj se mbledhja e përbashkët e qeverisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë, si format i iniciuar nga periudha e qeverisjes së PDK-së, duhet të vazhdojë e të zgjerojë temat e rëndësisë së përbashkët”, tha Krasniqi.

Gjatë takimit u diskutua për situatën e brendshme politike, menaxhimin e pandemisë, si dhe për zhvillimet e fundit në veri të vendit.

“Vendimin e Qeverisë së Kosovës për reciprocitetin me targat, e konsiderojmë të drejtë dhe legjitim. Por, shpreha shqetësim për tendencën nga ana e Serbisë për të përshkallëzuar situatën, me ç’rast kërkova që Shqipëria të luajë rol ndihmës, si vend anëtar i NATO-s.”, theksoi Krasniqi.

Kryetari Memli Krasniqi falënderoi Edi Ramën për ftesën për vizitë zyrtare në Tiranë dhe premtoi që këtë vizitë do ta realizojë në momentin e parë të mundshëm.

Në takim kanë marr pjesë edhe sekretari i PDK-së, Bajrush Xhemajli, anëtarja e kryesisë, Besa Kabashi Ramaj dhe shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri.