Krasniqi në takim me Lajçakun: Marrëveshjet mes Kosovës e Serbisë të jenë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, sot në Bruksel ka takuar Përfaqësuesin Special të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

Sipas një komunikate të lëshuar nga Partia Demokratike e Kosoves, Krasniqi dhe Lajçak kanë diskutuar për ecurinë e procesit të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë dhe qëndrimin e Partisë Demokratike të Kosovës, si lidere e opozitës, karshi këtij procesi të rëndësishëm për dy shtetet dhe për rajonin.

Krasniqi gjat takimit ka thënë se PDK, si parti shtetformuese, e mbështetë vazhdimin e dialogut Kosovë – Serbi, i cili duhet të përfundojë me njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Serbia.

“Emisarin Lajçak e falënderova për angazhimin e tij në këtë proces delikat dhe potencova se çfarëdo marrëveshje e mundshme mes Kosovës dhe Serbisë duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, të mos e cenojë tërësinë territoriale, intergritetin dhe sovranitetin e vendit”, tha Krasniqi.

Gjatë vizitës në Bruksel, kreu i PDK-së ka takuar edhe Zëvendës Drejtorin për Europë në Shërbimin Europian për Veprimit të Jashtëm, Marko Makovec, ku kanë diskutuar për nevojën e thellimit të bashkëpunimit dhe koordinimit të Kosovës me Bashkimin Europian në çështjet politike, përfshirë zbatimin e MSA-së dhe rekokandimet e Raportit për Vendin.

Kreu i PDK-së ka thënë se rruga e integrimeve evropiane për Kosovën është synim i shtetit të Kosovës dhe qytetarëve të saj, ndërsa ka bërë thirrje që Bashkimi Europian të jetë më proaktiv në këtë proces në mënyrë që integrimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor në familjen europiane të ndodhë sa më parë.

Në këtë vizitë Krasniqi ishte shoqëruar edhe nga Sekretari për Marrëdhënie Ndërkombëtare, Bernard Nikaj, dhe Sekretari për Çështje të Integrimeve Euro-Atlantike, Bekim Çollaku.