Krasniqi: Në rast nevoje, qeveria të mundësojë strehimin e 5 mijë ukrainasve

Deputetët e Kuvendit të Kosovës po diskutojnë rreth rezolutës për mbështetjen e Ukrainës dhe popullit të saj në rezistencë ndaj agresionit rus.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që në rast nevoje, të mundësojë strehimin e 5 mijë qytetarëve të Ukrainës dhe të hap një fond të veçantë për të ju ndihmuar.

“Ne bëjmë thirrje Qeverisë që të marrë iniciativën që në rast nevoje të mundësojë strehimin e 5,000 qytetarëve të Ukrainës të shpërngulur nga lufta”, ka thënë ai.

“Ne kërkojmë që Qeveria e Kosovës të ndajë një fond të veçantë për Qeverinë dhe qytetarët e Ukrainës për të ju dalë në ndihmë në këtë periudhë tepër të rëndë për ta”, shtoi ai.

Ai gjithashtu tha se Qeveria duhet të ndërmarrë veprime për të kërkuar anëtarësimin në organizata e institucione ndërkombëtare me të cilat sipas tij “ndajmë vlera të përbashkëta demokratike”.

“Besojmë që kjo është një emergjencë institucionale dhe shtetërore për çka sot i bëjmë thirrje menjëherë edhe përmes rezolutës Qeverisë që të bëjë aplikimin për anëtarësim në Këshillin e Evropës, po ashtu edhe për aplikimin për ta marrë statusin e shtetit kandidat në BE si dhe aplikimin në NATO për të kërkuar partneritetin për paqe si hap të parë drejt anëtarësimit të plotë.”, ka thënë Krasniqi.

Ai gjithashtu tha se PDK e mbështetë rezolutën duke shtuar se mirëpret unitetin mes partive parlamentare rreth saj.

“Me këtë rezolutë Kosova e formalizon rreshtimin e saj të drejtë dhe të duhur krahas demokracive evropiane dhe botërore, duke kundërshtuar, dënuar dhe refuzuar logjikën e agresionit ushtarak ndaj rendit demokratik, ndaj sovranitetit të një vendi demokratik dhe nga vlerat demokratike mbi të cilat qëndron liria e një vendi”, shtoi Krasniqi.

Teksa po futemi në javën e dytë të pushtimit rus në Ukrainë, Rusia i ka intensifikuar sulmet e saj në qytetet kryesore të Ukrainës – me luftime që po vazhdojnë pothuajse në pjesën më të madhe të territorit të Ukrainës.

Dita e tetë e ndërhyrjes ushtarake ruse në Ukrainë