Krasniqi: Në krye të abuzimeve me energji është ambasadori Martin Berishaj

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi gjatë seancës së Kuvendit ku po diskutohet lidhur me arrestimin e kryeshefit të KEK-ut, Nagip Krasniqi, numëroi shkeljet dhe abuzimet që, sipas tij janë bërë në sektorin e energjisë nga kjo qeveri.

Sipas tij në krye të kësaj piramide të shkeljeve qëndron ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj.

“Gjithë këto abuzime në sektorin e energjisë nuk janë të rastësishme, rritja e çmimit të energjisë mbi 100%, pagesat e jashtëligshme në veri, bllokimi i ndërtimit të kapaciteteve të reja prodhuese. Në krye të kësaj priamide është ambasadori Martin Berishaj bashkë me Kurtin, këta i keni shefa të kësaj”- u shpreh Krasniqi.

Tutje, ai theksoi se në një vend normal pas arrestimit të Krasniqit, qeveria do duhej të shkarkonte Bordin e ndërmarrjes.

“Në secilin vend demokratik normal në momentin kur është bërë publik lajmi i arrestimit të shefit të KEK, që ka qenë edhe shef për energji në LVV, në atë moment një kryeministër do duhej të kërkonte shkarkim të bordit dhe shefit të arrestuar. Ne nuk e kemi pas një situatë të tillë, është hera e parë që ndodh kjo”- shtoi ai.

“Vjen kryeministri dhe lëre që e mbron shokun e tij, por fillon e sulmon dhe shantazhon gjithë sistemin e drejtësisë, duke kërcënuar edhe me emra prokurorët në një proces që sapo ka nisur”- shtoi tutje Krasniqi.

Ai kërkoi nga qeveria të mos i referohen Nagip Krasniqit si ‘burrë i mirë’ pasi në KEK ka qenë për udhëheqës.

“Prej mediave e kemi parë se është arrestuar për tri vepra  penale – dyshohet për  ushtrim ndikimi, keqpërdorim pozite, konflikt interesi, këto janë akuza të rënda. Mos u sillni duke thënë ‘është burrë i mirë’, ndoshta është në shtëpi e me shoqëri të tij, atje është për udhëheqes e jo burrë të mirë”- shtoi ai.

Ai tha se nëse ky do ishte skandali i parë në këtë sektor gjatë kësaj qeverie ndoshta do shihej me më pak dyshim.

“Po flasim për dyshim të keqpërdorimit të mbi 70 milionë eurove, sikur të ishte ky arrestim skandali i parë në sektorin e energjisë gjatë qeverisjes së Kurtit, edhe qytetarët do kishin dyshime tjera, por dihet se keqpërdorimi i këtyre parave ëstë vazhdim i aferave tjera”- u shpreh tutje kreu i PDK-së.

Ai madje përmendi edhe shumë fusha e sektore ku qeveria do mund të kishte kontribuar me këto para të cilat, sipas tij, janë keqpërdorur.

“Të gjitha këto bashkë nënkuptojnë dy gjëra: Që qeveria abuzimet më të mëdha i ka bërë në sektorin e energjisë dhe e dyta qytetarët sot e kanë jetën më keq si pasojë e këtyre abuzimeve sepse me këto para do mund të bëheshin përmirësime në shumë sektore nga arsimi, shëndetësia, mirëqenia sociale”- tha Krasniqi.