
Krasniqi në Gjakovë: Sot nisi uragani i fitores së IRDK-së
Iniciativa e Re Demokratike e Kosovës ka hapur zyrtarisht fushatën elektorale për zgjedhjet e 09.02.2025.
Më 12.01.2025, në Gjakovë, e kryetari i saj, Elbert Krasniqi tha se sot nisi uragani i fitores së IRDK-së.
“Në Gjakovën e madhe, në Gjakovën e 50% qytetarëve të komunitetit egjiptian, në Gjakovën e mësuesit Vehbi Kaja e Avni Neza, në Gjakovën e sportistëve Gëzim Lala e Fahri Vraniqi, e artistëve Xheladin Deri e Hadi Bajrami, në Gjakovën e dëshmorit të UÇK-së Xhevdet Hoti, sot nisi uragani i fitores së IRDK-së. Faleminderit Gjakovë. Faleminderit Kosovë”- ka shkruar Krasniqi në Facebook.
Fushata pёr zgjedhjet parlamentare nё Kosovё ka filluar zyrtarisht mё 11.01.2025. Për njё muaj, partitë politike pritet të mbajnë tubime elektorale me qytetarët për të fituar besimin e tyre në garën e 9 shkurtit 2025.
Për këto zgjedhje janë certifikuar 28 subjekte politike me 1280 kandidatë.
Sipas Ligjit, gjatë periudhës së fushatës zgjedhore, subjektet politike kanë të drejtë:
– të organizojnë dhe mbajnë tubime/ngjarje politike, tryeza të rrumbullakëta, konferenca për shtyp, fjalime, ose ndonjë aktivitet tjetër të ngjashëm, përmes të cilave ata mund t’i shprehin lirisht mendimet e tyre me qëllim të fitimit të përkrahjes nga votuesit e tyre;
– të publikojnë dhe të shpërndajnë afishe, reklama dhe material tjetër lidhur me një fushatë zgjedhore; dhe të bëjnë fushatë përmes cilitdo operator televiziv, të radios apo kabllor, gjithashtu edhe përmes revistave, shtypit, rrjetit telefonik, sistemit postar ose çdo lloj mjeti tjetër reklamues, në pajtim me rregullat e KQZ-së dhe ligjet tjera në fuqi.
Këto do të jenë zgjedhjet e para të rregullta që Kosova mban që nga shpallja e pavarësisë më 2008.
Mërgimtarët kanë nisur më 09.01.2025 të votojnë përmes postës për Zgjedhjet parlamentare në Kosovë.
Sipas të dhënave të KQZ-së, numri i qytetarëve me të drejtë vote në vendvotime në Kosovë është 1 milion e 970 mijë e 944 votues, ndërkaq numri i qytetarëve të cilët janë regjistruar për të votuar jashtë Kosovës është 104 mijë e 924 votues.