Krasniqi: Mbi 107 mijë qytetarë kanë ikur nga vendi gjatë dy viteve të qeverisjes Kurti

Kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi në Kuvend është deklaruar në lidhje me punën dy vjeçare të Qeverisë Kurti 2, duke thënë se për dy vite sipas tij janë larguar mbi 107 mijë qytetarë.

Krasniqi tha se këta qytetarë nuk janë larguar si turist por, si mërgimtarë.

“Gjatë dy viteve të qeverisë Kurti 107 mijë e 310 qytetarë kanë ikur nga Kosova, jo si turist por si mërgimtarë që e kanë humbë shpresën dhe besimin  në perspektiven që mundet me ofru shteti jonë”- ka deklaruar Krasniqi.

“Kosova po zbrazet, familjet po zvogëlohen. Kjo është fytyra e vërtetë e qeverisjes tënde kryeministër, ky migrim flet më së miri se sa janë të kënaqur njerëzit dhe familjet me punën tënde”- shtoi ai.

Kuvendi i Kosovës po shqyrton propozim-rezolutën e AAK-së për punën dyvjeçare të Qeverisë së Kosovës.

Kjo pikë e rendit të ditës ka qenë kërkesë e AAK-së që nga fillimi i muajit mars.

Më 22 mars 2021 , deputetët e Kosovës me 67 vota pro, 30 kundër dhe asnjë abstenim kanë votuar për Qeverinë Kurti si qeverinë e re të vendit.