Krasniqi: Marrëveshja me Serbinë për energji është pjesë e një plani për krijimin e një zone autonome në veri të Kosovës

Anëtari i Partisë Socialdemokrate (PSD), Frashër Krasniqi, ka thënë se marrëveshja për energjinë e arritur mes Kosovës dhe Serbisë është pjesë e një plani për krijimin e një zone autonome në veri të Kosovës.

Duke folur në emisionin ‘Kallxo Përnime’, Krasniqi tha se kjo ‘zonë autonome’ është përmes Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

“Sepse duhet ta kemi të qartë, marrëveshja e nënshkruar për energjinë, kundër të cilës kemi protestu ne bashkë kur kemi qenë bashkë me Vetëvendosjen dhe kryeministrin Kurti, është një marrëveshje e cila në kontekstin politik e trajton veriun si zonë e veçantë. Edhe ideja e krijimit të një kompanie të veçantë, që e faturon dhe e mirëmban rrjetin e furnizimit me energji, është një ide në kuadër të një makro-plani politik për krijimin e një zone autonome përmes Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Është brenda asaj fryme. Qeveria Kurti nuk ka bërë asnjë dallim në këtë aspekt, duke e riafirmu të njejtën marrëveshje, e cila në të njejtën mënyrë e trajton veriun si pjesë të veçantë” – deklaroi Krasniqi.

Tutje, ai tha se Qeveria e Albin Kurtit gabimin e ka bërë që mundohet t’u qaset problemeve në veri me marrëveshje të gabuara.

“Ky është një problem që së pari nuk mundet me u zgjidhë në nivelin politik, nuk mundet me e zgjidhë në aspekt afatgjatë problemin që e kemi me Serbinë dhe në asnjë pikë më pastaj. Mos të harrojmë, Qeveria Kurti ka pranu një kompani pronare e të cilës është shteti i Serbisë, me inkasu rrymën në veri” – tha Krasniqi.

Gjithashtu, Frashër Krasniqi tha se kjo përbën shkelje flagrante të sovranitetit të Kosovës.

“Kjo është shkelje flagrante e integritetit dhe sovranitetit territorial të Kosovës, të cilën e ka për zemër gjoja Kurti, kur flet ‘se si ne po e shtrijmë sovranitetin’.Të gjitha këto probleme në veri, nuk do të kishin kuptim sikur Qeveria jonë të kishte një plan dhe një projekt, për me e zgjidhë njëherë e mirë problemin me Serbinë, me një marrëveshje për paqe të përhershme që rezulton me njohje të dyja shteteve. E pastaj këto çështje do të ishin teknikalitete pa rëndësi” – tha ndër të tjera Frashër Krasniqi.