Krasniqi: Marrëveshja është dështim politik e kombëtar

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka thënë se marrëveshja e dakorduar në Ohër, është një dështim politik e kombëtar.

Përmes një shkrimi në rrjetin social Facebook, Krasniqi ka thënë se kryeministri Albin Kurti në më pak se tri javë, sipas tij, ka pranuar gjithçka që kishte premtuar se nuk do ta pranonte.

“Por, përtej mashtrimeve të tij, brenga ynë mbetet Kosova, qyetarët tanë dhe brezat e ardhshëm, të cilët, fatkeqësisht, përveç që e kanë humbur besimin në perspektivën që ofron Kosova, do ta trashëgojnë për vite me radhe konfliktin e ngrirë me Serbinë” – ka shkruar i pari i PDK-së.

Sipas tij, marrëveshja pa njohje reciproke, e përqëndruar në një asociacion të avancuar e autonomi politike për komunitetin serb, është dështim i madh politik e kombëtar “të cilin do ta paguajmë shtrenjtë dhe gjatë, të gjithë”.

Dje kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq janë takuar në Ohër të Maqedonisë së Veriut, një takim trilateral të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dyja vendeve.

Pas takimit maratonë në Ohër, kryeministri Kurti ndër të tjera, tha se ashtu si më 27 shkurt edhe dje në Ohër Serbia i ka ikur nënshkrimit të aneksit për zbatimin e marrëveshjes.

Ai shtoi se ka pasur pajtim publik mes palëve, teksa e ka cilësuar dakordimin e arritur si njohje de facto.

Kurti: Serbia po i ikë nënshkrimit të marrëveshjes