Krasniqi - Kurtit për grevat: Je njeri i tensionit

Deputeti dhe kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës Memli Krasniqi, gjatë debatit parlamentar për grevën e përgjithshme të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK) tha se kryeministri i Kosovës Albin Kurti është çelësi për të përmbushur nevojën që qytetarët e kanë.

“Nxënësit kanë nevojë për mësim e shkollë, e mësimdhënësit për nxënës. Prindërit kanë nevojë me ditë që fëmijët e tyre janë në shkolla. Kjo është nevoja që e kanë qytetarët sot për sot. Ti je çelësi për ta përmbush këtë nevojë. Edhe nëse s’je problem ti je zgjidhja”- tha Krasniqi.

Krasniqi kërkoi nga Kurti ta “zgjidh nyjën”- pjesë e të cilës sipas tij është bërë.

Krasniqi shtoi se nuk i ka interesuar Kurtit zgjidhja por konflikti.

“Ty nuk të ka interesu zgjidhja se duket që të ka interesu konflikti. Sepse ti e din që je njeri i tensionit. Ti ke problem m`u sill në situatë normale. Sot njerëzit janë duke kërku normalitet jo konspiracion e fantazi”- Krasniqi.

Sipas Krasniqit situatat e tilla ndodhin dhe kanë ndodhur edhe në të kaluarën.

“Sindikatat kanë qenë më shumë aleat me ty sa ke qenë në opozitë sesa me krejt neve tjerëve bashkë… Mundësoju nxënësve e mësimdhënësve me vazhdu aty ku e kanë lënë nëse e kupton që gabimisht iu ke qasur kësaj çështje unë zotohem publikisht që s’kemi me ta përmend asnjëherë, por nëse beson se ky është modeli i duhur i qeverisjes unë po them se nuk është. Zoti na ruajt nëse ti mendon se model i duhur i qeverisjes është ai ku ti je njeriu që e sanksionon të mirën e të keqen që vetëm përmes bindjeve tua vlejnë këto”- shtoi Krasniqi.