Krasniqi – Kurtit: Ne kemi praninë e KFOR-it, Deklarata për Paqe e panevojshme të kërkohet në dialog

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Rrezarta Krasniqi i tha kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti se vendi nuk është në rrezik të hyjë në luftë me Serbinë që t’i propozohet asaj Deklaratë e Paqes.

“Ne kuptuam se janë refuzuar propozimet tuaja si Deklarata për Paqen e cila nuk ka qenë e nevojshme të kërkohet, sepse ajo bëhet vetëm në ato raste kur vendet rrezikohen të hynë në luftë. Ne nuk kemi këtë rrezik, përderisa e kemi praninë e KFOR-it”, tha Krasniqi.

Ajo akuzoi Kurtin për nisje të gabueshme të dialogut me Serbinë, dhe sipas saj, kryeministri ka manipuluar me qytetarët.

“E keni nisur gabim dialogun, madje keni shkelur edhe parimet tuaja me të cilat keni manipuluar me ndjenjat e qytetarëve, e veçanërisht me ndjenjat e familjarëve që ende nuk dinë asgjë për fatin e më të dashurve të tyre ende të pagjetur”, shtoi ajo.