Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Krasniqi - Kurtit: I ke mashtruar kryetarët e komunave në veri, nuk iu ke treguar që do t’i dërgosh në zyre

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka akuzuar kryeministrin Albin Kurti se ka mashtruar kryetarët e komunave veriore të premten e kaluar.

Krasniqi tha se Kurti nuk iu ka treguar kryetarëve se do të shkojnë në zyre komunale por u ka thënë se do të takohen me ministrin e Adminsitrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqin.

“Sot një javë përafërsisht në këtë kohë, ti krye në veti pa folë me njeri të lemë e ke nisë një veprim avanturist dhe kryetarëve të komunave nuk ju ke tregu që ke me i dërgu në zyre, i keni mashtru duke ju thënë se keni takim me Elbert Krasniqin, ky ju ka thënë më herët në 11:00 kemi me u taku tek Erden Atiqi, i keni hypë në kerre i keni çu mirë boll” – ka thënë Krasniqi.

Kreu i PDK-së tha se veprimet e kryeministrit do të duhej të koordinoheshin me të.

“Është marre me u tutë, se s’ke pasë nevojë me u tutë. U dashtë me u koordinu, të kishim dhënë mbështetje ndoshta, por ju jeni mësu me punu fshehurazi dhe me punu krye në veti” – tha Krasniqi.

“E ke mshelë një kryetar si Oso Kukën në kullë atje, i shkreti nuk e di a po ka ndonjë gjë me hangër se nuk ka pasë mundësi me u la për sa ditë. Me kënd është duke punu ai, me kënd po qeverisë. Pse nuk po e qon Erden Atiqin në ndërtesë komunale por në dytësore ashtu siç janë Izmir Zeqiri dhe Ilir Peci. Hajde ti Elbert kape Erdenin e dërgoje në Komunë”- shtoi ai.

Më tej, Krasniqi ka ftuar Kurtin që të shkojnë bashkë në zyrat e kryetarëve të komunave.

“Pse po insiston me i çu tre njerëz që jetojnë atje e janë pjesë e popullit shqiptar më të vuajtur në 24 vite pas luftës se jetojnë ne veri të vendit, atyre po ju bën presion. Hajde shkojmë bashkë, çu zotni, kryeministër je. Lehtë e ke prej Prishtinës, hajde shkojna bashkë në veri, hyjna në zyre dhe rrimë me ta qaty” – deklaroi i paari i PDK-së.

Kuvendi i Kosovës po mban seancë të veçantë për situatën në veri të vendit dhe raportet e Kosovës me SHBA-në.

Nga e hëna serbët në veri janë duke protestuar për të kundërshtuar idenë që kryetarët e rinjë të ushtrojnë detyrat e tyre nga objektet komunale.

SHBA-të dhe BE vazhdimisht kanë kërkuar shtendosje të situatës në veri të Kosovës. Madje SHBA ka përjashtuar ushtrinë e Kosovës nga ushtrimi Defender 23 si pasojë për ‘mosdëgjimin’ që e ka bërë Qeveria e Kosovës.

SHBA po kërkojnë nga qeveria që kryetarët e ti të mos ushtrojnë detyrat e tyre nga objektet komunale dhe policia e Kosovës të largohet nga ato ndërtesa.

Për kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti kryetarët duhet të ushtrojnë detyrat nga zyrat e tyre, sepse sipas tij ‘Kosovës nuk i duhet sistem paralel’.

Dje, Presidentja Osmani ka takuar presidentin e Francës, Emmanuel Macron dhe kancelarin e Gjermanisë, Olaf Scholz si dhe ka mbajtur një takim ‘joformal’ me presidentin serb Aleksandar Vuçiq.

Nga këto takime është propozuar ideja që në katër komunat veriore, Zveçan, Leposaviq, Zubin Potok e Mitrovicë të Veriut të përsëriten zgjedhjet edhe njëherë.