Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Krasniqi: Kurti po hesht për situatën në veri

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka reaguar pas sulmeve në drejtim të zyrave të Komisionit Komunal të Zgjedhjeve në Mitrovicën e Veriut.

Ai ka thënë se Serbia po tenton ta destabilizojë Kosovën.

Krasniqi tutje ka thënë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, po hesht për situatën në veri.

“Serbia nuk duhet të kalojë në veriun e Kosovës! Institucionet e shtetit sot janë sulmuar në komunat e veriut. Kandidatët tanë janë kërcënuar. Serbia po tenton ta destabilizojë Kosovën, ndërsa Kryeministri i vendit, që na flet për zhvillime prej Ukrainës e deri në Kinë, po heshtë për situatën në veri. Fol Kryeministër!”- ka shkruar Krasniqi në Facebook.

Sirena dhe shpërthime janë dëgjuar gjatë pasdites së sotme në veri të Kosovës.

Sipas Policisë, në orët e para të pasdites së sotme, në disa zona të Zubin Potok-ut dhe Mitrovicës së Veriut janë regjistruar disa incidente dhe dyshohet për shkrepje armësh e shpërthime.

Policia ka njoftuar se deri më tani nuk janë raportuar lëndime nga këto incidente, ndërsa raportohet se protestuesit kanë demoluar zyrat e Komisionit Komunal Zgjedhor.

KALLXO.com mëson se KQZ ka kërkuar tash e disa ditë që gjatë kësaj kohe kur pritej të vendoseshin zyrtarët e lartë komunal që janë përzgjedhur për të zëvendësuar ata të dorëhequrit, të kenë edhe mbështetjen e Policisë së Kosovës.

Tutje siç mëson KALLXO.com në momentet kur është tentuar zëvendësimi i zyrtarëve të lartë, është lëshuar edhe alarmi në pjesën veriore të Kosovës.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se zyrtarët komunalë të zgjedhjeve dhe zyrtarët policorë janë sulmuar me ‘shock bomba” dhe se ka pasur edhe të shtëna në ajër nga grupe të organizuara në veri.

Ai ka thënë se sulme të tilla, me qëllim të bllokimit të procesit zgjedhor, janë të papranueshme.

Sveçla ka njoftuar se Policia e Kosovës tashmë ka filluar hetimet për të identifikuar dhe sjellë para drejtësisë të dyshuarit e përfshirë në sulmet e sotme.