Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Krasniqi kritikon Qeverinë, kërkon të krijohet 'front i përbashkët’ kundër pandemisë

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) Memli Krasniqi në një konferencë për media ka thënë se Qeveria ka dështuar në menaxhimin e pandemisë.

Ai ka kërkuar reagim urgjent dhe angazhim maksimal të institucioneve shtetërore, “për ta ndalur hovin e kobshëm të pandemisë”.

“Qeveria e Kosovës nuk i kushtoi vëmendje rrezikut të përhapjes së këtij varianti, dhe nuk ndërmori masat adekuate për të parandaluar rrezikun e fluksit të infektimit. Përkundrazi, në mënyrë të vazhdueshme nga kjo Qeveri kemi parë relativizim të situatës dhe një aktrim të normalitetit në një situatë krejtësisht jonormale. Është evidente dhe konstatim real e jo politik, që Qeveria nuk e menaxhoi në mënyrë efikase gjithë procesin e ballafaqimit me pandeminë. Veçmas, nuk mendoi fare për preventivën e përhapjes së variantit Delta”, tha Krasniqi.

Kreu i PDK-së ka shprehur sërish gatishmërinë e PDK-së për të kontribuar në Kuvendin e Kosovës për të marrë vendime në ndihmë të qytetarëve për tejkalimin e kësaj tragjedie.

Ai përsëri ka ftuar Kuvendin e Kosovës t’i pezullojë pushimet, për ta rishikuar Ligjin për Buxhetin që të gjitha nevojat emergjente të reflektohen në buxhet, në mënyrë që kjo gjendje e rëndë me pandeminë t’u bëhet më e lehtë qytetarëve të Kosovës.

Ai tha se keqmenaxhimi i situatës pandemike nga qeveria vërehet në disa dimensione: në sigurimin e vaksinave, në administrimin e procesit të vaksinimit dhe në administrimin e kapaciteteve shëndetësore.

“Të gjithë duhet të bëhemi bashkë – që qytetarëve t’ua lehtësojmë barrën e ballafaqimit me këtë sfidë. Kjo është nevojë emergjente dhe domosdoshmëri. Prandaj, pres reflektim të Qeverisë, sepse gjendja është jo vetëm e rëndë, por po bëhet e pashpresë, përballë të cilës ndërgjegjja e gjithsecilit prej nesh nuk mund të peshojë asgjë më shumë sesa jetën e qytetarëve”, u shpreh ai.

Kosova po përballet me gjendje të rëndë me pandeminë COVID-19.

Në 24 orët e fundit si pasojë e coronavirusit kanë vdekur 32 qytetarë. Numri i rasteve aktive me COVID-19 në Kosovë është 26 mijë e 524.