Ministri i MAPL-së, Elbert Krasniqi. Foto:KALLXO.com
Krasniqi: Kosova po i pret edhe partnerët që të jenë gati për hapjen e Urës së Ibrit
Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ka thënë se Kosova është e gatshme që ta hapë Urën e Ibrit, veçse po pret kur të jenë gati edhe partnerët e saj ndërkombëtarë për ta ndërmarrë këtë hap.
Krasniqi tha se nuk ka asnjë argument para vetes që e bën të besoj që kjo urë të mbetet e mbyllur.
“Ata (partnerët) kanë paraqitur se siguria është një nga hezitimet- kjo është pikëpamja e tyre për hapjen e urës”- tha Krasniqi në konferencë për media pas mbledhjes të Qeverisë më 23.10.2024.
Krasniqi theksoi se besojnë fuqishëm që nuk ka kapacitete të elementeve çrregulluese brenda Republikës së Kosovës që mund të krijonin situata që mund të mos menaxhohen nga institucionet tona të sigurisë.
Ndër të tjera, Krasniqi ka thënë se në Kosovë nuk asnjë vend për institucione paralele.
Ai tha se se do të mbyllen të gjitha.
Më 11.10.2024, komandanti i Forcës së Përbashkët Aleate në Napoli të Italisë, Admirali Stuart Munsch, në një konferencë për media ka folur për çështjen e urës së Ibrit, për çka është shprehur se kjo çështje sipas tij, është politike dhe ushtarake.
“Politika e NATO-s është që të mos hapet në këtë kohë, do t’i nënshtrohet dialogut. Është një çështje politike dhe jo ushtarake, kjo është për shkak të gjasave që mund të shkaktoj dëm, ambient jo të sigurt. KFOR-i mban vija të hapura të komunikimit me të gjitha forcat e sigurisë në zonë. Në këtë kohë nuk kemi një shqetësim sa i përket transparences”- është deklaruar Munsch.
Muajve të kaluar autoritetet kosovare kishin deklaruar në vazhdimësi që do të hapin Urën e Ibrit, megjithatë një gjë e tillë ende nuk ka ndodhur.
Faktori ndërkombëtar ka kërkuar që Ura mos të hapet pa koordinim me ta dhe të bëhet pjesë e dialogut Kosovë- Serbi.