Krasniqi: Kemi hyrë në fazë të re të shpërthimit të COVID-19 në Kosovë
Drejtori i Shërbimit Spitalor Klinik të Kosovës, Valbon Krasniqi në emisionin “Debat” të RTK-së ka thënë se Kosova ditëve të fundit ka hyrë në një fazë të re të shpërthimit të pandemisë COVID-19 dhe tash është një fluks i madh i të infektuarve.
“Sot kemi 678 pacientë të shtrirë në të gjitha institucionet shëndetësore të Kosovës, e që është numër më i madh për 150 pacientë më shumë brenda 10 ditësh”, ka thënë Krasniqi.
Ai ka shtuar se tash Kosova është në një fazë të re të të infektuarve dhe pacientëve të shtruar në institucionet shëndetësore.
“Po bëjmë maksimumin të ofrojmë shërbime mjekësore, që asnjë pacient mos të mbetet i pa trajtuar”, tha Krasniqi tutje.
Sipas të dhënave zyrtare, deri më tani në Kosovë numri total i rasteve pozitive me COVID-19 është 74 mijë e 79 raste dhe 1 mijë e 668 raste të vdekjeve. /RTKLive