Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Krasniqi i përgjigjet Kurtit: Nuk konsideroj se në këtë moment ka një situatë emergjente për t’u takuar e për të diskutuar me ju

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka reaguar lidhur me ftesën që kryeministri Albin Kurti u ka bërë liderëve opozitarë për të diskutuar rreth dialogut Kosovë-Serbi dhe takimit të fundit në nivel liderësh të zhvilluar në Bruksel më 18 gusht mes tij dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.

Krasniqi ka treguar se i ka kthyer përgjigje Kurtit dhe ka publikuar letrën që ia ka dërguar atij.

Në këtë letër kreu i PDK-së ka thënë se nuk konsideron se në këtë moment ka një situatë emergjente për t’u takuar e për të diskutuar me kryeministrin.

“Megjithatë, unë mbetem i hapur dhe i gatshëm që të takohem me ju në momentin kur të ketë avancim të procesit të Dialogut dhe diskutim konkret për arritjen e marrëveshjes finale, që ka për qëllim njohjen e ndërsjellë. PDK do të jetë gjithmonë e angazhuar në mbrojtje të interesave të Republikës së Kosovës, sovranitetit të vendit tonë dhe të zbatimit të kushtetutshmërisë në tërë territorin e vendit” – ka theksuar ndër të tjera Krasniqi.

Ky është postimi i plotë i Memli Krasniqit:

Të dashur qytetarë të Republikës së Kosovës,
Sapo i kam kthyer përgjigje kryeministrit Albin Kurti, ndaj ftesës së tij ku ka kërkuar takim të përbashkët, nesër më 30 gusht, në zyrën e tij.
Për hir të transparencës së plotë, më poshtë e gjeni tekstin e plotë të përgjigjes sime.
I nderuar Kryeministër i Kosovës, z. Albin Kurti,
Faleminderit për letrën tuaj të datës 28.08.2022.
Qëndrimi i Partisë Demokratike të Kosovës mbetet i njëjtë dhe konsistent, në mbështetje të Dialogut, të fokusuar në arritjen e marrëveshjes finale, që sjell njohjen e ndërsjellë ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë dhe që mundëson anëtarësimin e Kosovës në OKB, NATO dhe BE, duke ruajtur sovranitetin dhe integritetin territorial të vendit tonë.
Në procesin e Dialogut ne ju kemi dhënë hapësirën e nevojshme, juve dhe Qeverisë, për të kryer detyrat tuaja në mbrojtje të interesave të vendit, duke konsideruar se ky proces është i pa alternativë për arritjen e paqes dhe qëllimeve tona shtetërore. Sepse, Dialogun me Serbinë asnjëherë nuk e kemi parë si betejë të brendshme politike.
Aktualisht, e tëra që po shohim është se dialogu ka rrëshqitur në nivel teknik, duke përfshirë riciklimin e marrëveshjeve të kaluara. Sa i takon zbatimit të përgjegjësive që keni si udhëheqës i Dialogut, unë ju inkurajoj që të vazhdoni angazhimin tuaj dhe te qeverisë për respektim të vendimeve të ligjshme që sigurojnë reciprocitet në raport me Serbinë, si dhe sundim të ligjit dhe lëvizje të lirë në gjithë territorin e Republikës së Kosovës. Por, nuk konsideroj se në këtë moment ka një situatë emergjente për t’u takuar e për të diskutuar për këto përgjëgjësi tuajat.
Megjithatë, unë mbetem i hapur dhe i gatshëm që të takohem me ju në momentin kur të ketë avancim të procesit të Dialogut dhe diskutim konkret për arritjen e marrëveshjes finale, që ka për qëllim njohjen e ndërsjellë.
PDK do të jetë gjithmonë e angazhuar në mbrojtje të interesave të Republikës së Kosovës, sovranitetit të vendit tonë dhe të zbatimit të kushtetutshmërisë në tërë territorin e vendit.
Sinqerisht,
Memli Krasniqi
Kryetar