Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Krasniqi: Heqja e barrikadave është para së gjithash përgjegjësi e Qeverisë së Kosovës

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka reaguar pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë Kombëtare, duke vënë në pikëpyetje rezultatin e saj.

Sipas Krasniqit, heqja e barrikadave është para së gjithash përgjegjësi e Qeverisë së Kosovës.

“E para, barrikadat i kanë vendosur grupet kriminale të orkestruara nga presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, me qëllim destabilizimin dhe nënshtrimin e Kosovës. E dyta, në inkurajimin e këtyre grupeve dhe krijimin e një realiteti të ri atje, po ndikon tej mase heshtja dhe mosveprimi i Qeverisë” – ka thënë Krasniqi.

Ai i ka bërë thirrje Qeverisë që të largojnë barrikadat. “Çdo minutë që po kalon, po rrezikon sovranitetin dhe integritetin territorial të vendit. Qytetarët kanë votuar për Qeveri që e qeverisë krejt Kosovën e jo vetëm deri te Ura e Ibrit. Andaj, mos u zbrapsni se do të ju mbështesim të gjithë” – ka shkruar Memli Krasniqi i PDK-së.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka mbajtur takimin e Këshillit të Sigurisë së Kosovës, lidhur me situatën e krijuar dhe incidentet e fundit në veri të vendit.

Sipas njoftimit të Zyrës së Kryeministrit, në takim u tha se ky kërcënim dhe këto veprime vijnë si rezultat i koordinimit të ngushtë mes Qeverisë së Serbisë dhe strukturave ilegale dhe grupeve kriminale, e cila po ashtu po përhapë propagandë.

Po ashtu, u ritheksua se Policia e Kosovës i ka të gjitha kapacitetet dhe gatishmërinë për të vepruar por  thonë se “janë në pritje të veprimeve nga KFOR-i”.

Barrikadat në veri janë ngritur që nga 10 dhjetori nga disa serbë lokalë, në shenjë proteste ndaj arrestimit të ish-pjesëtarit të Policisë së Kosovës, Dejan Pantiq, i cili akuzohet për organizimin e “sulmit terrorist” në zyrat e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Që nga atëherë janë shënuar një numër i incidentesh, ku përveç gazetarëve janë sulmuar edhe pjesëtarë të Policisë së Kosovës dhe trupave ndërkombëtare, si EULEX dhe KFOR.