Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Krasniqi flet për lidhjen e pronarëve të gurthyesve me politikën

Në Ligjin për rimëkëmbjen ekonomike është vendosur një nen i cili u sjell shumë përfitime gurthyesve dhe kompanive që merren me aktivitete minerare, pasi që për pesë muaj të vitit 2021 është vendosur që të hiqet taksa e pagesës së rentës minerare.

Ministrja e Financave, Hykmete Bajrami, para disa ditëve në emisionin e KALLXO.com, ka deklaruar se në buxhet janë paraparë që të mblidhen 30 milionë euro nga kjo taksë minerare, ndërsa tani gjysma e parave nuk do të mblidhen pasi që taksa është larguar.

Përballë Jeta Xharrës, drejtori i Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale, Ramiz Krasniqi, ka treguar se nga KEK paguan më shumë rentë minerare sepse e shfrytëzon më shumë, ku sipas tij shfrytëzon 8 milionë tonë rezerva të qymyrit brenda vitit për të prodhuar energji dhe paguan mbi 20 milionë.

“Ndërmarrjet e tjera për metale, paguajnë 3 deri në 4 milionë rentë minerare ndërsa gurthyesit prej 6 deri në 8 varësisht prej dinamikës së prodhimit”, thotë Krasniqi.

Ai ka folur edhe për lidhjen e pronarëve të gurthyesve me politikën, pasi është pyetur nëse i sheh vëllezërit e presidentëve, deputetëve, të cilët janë pronarë të gurthyesve.

“Po, flas me ta se i kam edhe kolegë në Kuvend. Nuk kisha thënë që janë të lidhur me politikë por me biznesin e vetë, sepse Kosova është e vogël dhe ata e zhvillojnë një veprimtari, për neve është me rëndësi që pronarët që kanë licencë, përderisa e respekton ligjin ne nuk kemi të drejtë t’ia refuzojmë kërkesën”, thotë Krasniqi.

Tutje Krasniqi ka folur edhe për punën e gurthyesve gjatë pandemisë.

“Ndërmarrjet është e rëndësishme që kanë punuar edhe në kohën e pandemisë, ne sivjet qëndrojmë shumë mirë me të hyra, edhe tri javë jemi afër realizimit të planit që kemi pasur, 30 milionë, 98% është realizuar plani, pasi që asnjë ditë nuk e kemi ndërprerë punën”, tregon Krasniqi.