Foto: KALLXO.com
Krasniqi: E vetmja parti që kurrë s’ka pas vija të kuqe është PDK-ja
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi e ka ripërsëritur qëndrimin e tij që partia që ai udhëheqë nuk ka vija të kuqe me askënd.
Një gjë të tillë, Krasniqi e kishte thënë edhe para tre muajsh, kur u pyet për koalicion të mundshëm me Lvëizjen Vetëvendosje.
“E vetmja parti që kurrë s’ka pas vija të kuqe është PDK-ja”- tha Krasniqi në një konferencë për media më 31.07.2024, duke shtuar që “unë besoj që koha është flasim për datën e zgjedhjeve assesi për koalicionet”.
Krasniqi tha që në emër te PDK konsiderojmë që vendi ka nevojë që sa më herët të shkojë në zgjedhje, gjë për të cilën kanë pasur edhe iniciativë.
Nga katër datat PDK ka propozuar datën 26 janar 2025.
Datat e përmendura dhe të mundshme për mbajtjen e zgjedhjeve të përgjithshme në Kosovë nga Osmani janë 26.01.2025, 02.02.2025, 09.02.2025 dhe 16.02.2025.
“Shpresoj shumë që presidentja të mos ketë nevojë për kohë të gjatë për të marrë vendimin për të shpallur datën cilado qoftë ajo”- shtoi ai.
Sipas tij, datat e muajit shkurt nuk do të ishin të përshtatshme për shkak të 17 shkurtit, Ditës të Pavarësisë së Kosovës.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani është deklaruar për media pas takimit me liderët e partive politike në vend për përcaktimin e datës së zgjedhjeve të përgjithshme.
Osmani tha se janë pajtuar që dita e zgjedhjeve të caktohet pas analizës të disa datave të mundshme për organizimin e tyre.
“Disa parti preferuan 25 janarin, disa tjera 2 shkurtin, dhe të tjera që nuk kishin preferencë. Meqenëse shumica nuk kishin kërkesa për konsultime shtesë u pajtuam që pasi të bëjmë analizën e të gjitha datave të caktohet dita e zgjedhjeve. Ky vendim ende nuk është marrë”- tha ajo.
Osmani theksoi se do të tentojë që sa më parë të bëjë publike datën e zgjedhjeve.
Në takimin e thirrur nga presidentja Osmani me krerët e partive politike, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, njëherësh kryeministri Albin Kurti nuk mori pjesë në takim.