Krasniqi: Do ta rikthejmë fuqishëm PDK-në

Memli Krasniqi ka prezantuar platformën politike para delegatëve në Konventën Zgjedhore të PDK-së.

Krasniqi është zotuar se do ta kthejë PDK-në në partinë më të fuqishme e aty ku e ka vendin.

“Kjo çka jemi mbledhur, nuk ka qenë zgjedhje e jona por imponim i asaj që ka ndodhur në nëntorin e vitit të kaluar kur dy liderëve tanë ua ndalen padrejtësisë aktivitetin politik. Por ne nuk do të ndalemi asnjëherë por që nuk është aspak e lehtë që të trasohet rruga e Hashim Thaçit dhe Kadri Veseli”, tha Krasniqi para të pranishmëve në Konventën Zgjedhore.

Krasniqi ka folur edhe për fillimet e tij në politikë e PDK.

“Kur në vitin 2004 iu bashkova PDK-së, isha 24 vjeç dy vjet më parë mora besimin që ta udhëheq rininë demokratike dhe tutje gjithashtu mu krijua mundësia dhe besimi që të marrë rol në shërbim të vendit brenda partisë. Kam pasur nderin që të jem pjesë e fitoreve të PDK-së dhe sfidave. Nuk ka qenë kjo ambicia ime që tu dal si kandidat për kryetar, por është shndërruar në përgjegjësi  që nuk ka qenë as e drejtë e as e mundur për t’i ikur”, tha Krasniqi në mes tjerash.

Krasniqi është shprehur se do të krijohet një kryesi e re e PDK-së.

Memli Krasniqi ka qenë i vetmi kandidat për garën e kreut të PDK-së.

PDK-ja është drejtuar nga Enver Hoxhaj, deputet i PDK-së, si Ushtrues i Detyrës së kryetarit, pas shkuarjes në Hagë të Kadri Veselit, në nëntor të vitit të kaluar, për t’u përballur me akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, ngritur nga Dhomat e Specializuara të Gjykatës Speciale.