Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Krasniqi: Ditën e Çlirimit ua urojmë themeluesve të UÇK-së, të cilët padrejtësisht sot nuk janë pranë nesh

Ditën e çlirimit të vendit, lideri opozitar, Memli Krasniqi ia ka uruar themeluesve të UÇK-së, Hashim Thaçit e Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit të cilët po gjykohen në Hagë.

Krasniqi nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) tha se përkulen para sakrificës së shumë brezave të dëshmorëve, martirëve, të burgosurve, veprimtarëve e intelektualëve shqiptarë, që u angazhuan ditë e natë për këtë ditë.

“Në këtë rrugëtim, u jemi falënderues përjetësisht miqve që na dolën krah, NATO-s e SHBA-ve dhe shteteve të tjera demokratike. Por, posaçërisht sot, përkulemi para sakrificës së shumë brezave të dëshmorëve, martirëve, të burgosurve, veprimtarëve e intelektualëve shqiptarë, që u angazhuan ditë e natë për këtë ditë. Nderojmë me respektin e përjetshëm luftën e drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, heronjve tanë, që Kosovën e kishin më të shtrenjtën”, ka shkruar Krasniqi në rrjetin social “Facebook”.

“Sot, këtë ditë të bekuar, ua urojmë edhe themeluesve të UÇK-së, Hashim Thaçit e Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit dhe çlirimtarëve të tjerë, të cilët padrejtësisht sot nuk janë pranë nesh. Këto sakrifica shekullore, që po vazhdojnë edhe sot, na rikujtojnë vazhdimisht çmimin e lartë të lirisë dhe obligimin që kemi për ta çmuar e për ta ruajtur atë”, shtoi pasardhësi i Kadri Veselit në krye të PDK-së.

23 vjet më parë, më 12 qershor të vitit 1999, forcat e NATO-s hynë në Kosovë. Bombardimet e NATO-s kundër Serbisë nisën më 24 mars 1999 dhe zgjatën 78 ditë.

Pas 78 ditësh të sulmeve, bombardimet u ndërprenë më 10 qershor 1999, me miratimin e Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (OKB).

Pas bombave të hedhura nga forcat aleate për njëmbëdhjetë javë rresht, Serbia u detyrua t’i japë fund spastrimin etnik dhe t’i largojë forcat  policore dhe ushtarake nga Kosova, duke mundësuar kështu, kthimin e mbi 800 mijë refugjatëve kosovarë në vendlindje, përkohësisht të strehuar e të mirëpritur në Shqipëri, Maqedoni dhe në vende të ndryshme të botës.