Valbon Krasniqi, infektolog. Foto: Kallxo.com

Krasniqi: COVID-19, fillon numërimi drejt zeros

Infektologu Valbon Krasniqi ka treguar se ka filluar të bjerë numri i pacientëve që po trajtohen me COVID-19 në Klinikën Infektive.

Ai ka treguar se në këtë Klinikë nga nesër do të trajtohen vetëm 9 pacientë me coronavirus.

“Fillon numërimi drejt ZERO-s. Sonte në klinikë me 12 pacientë. Shërohen 3 prej tyre, Nga nesër me numër njëshifror të pacientëve në klinikë (vetëm 9 ) Saktēsisht, sot pas 8 javësh betejë me koronavirusin, fillon numërimi drejt ZERO-S”, ka shkruar ai në Facebook.

“Po përjetojmë me gëzim rezultatet e durimit të qytetarëve dhe punës profesionale të gjithë personelit shëndetësorë. Falemnderit qytetarë për durimin”, ka thënë Krasniqi më tej.

Sot, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike (IKShPK) ka njoftuar se nga 194 mostra të marra nga Klinika Infektive, vetëm një është konfirmuar pozitiv me coronavirus.

Po ashtu në njoftim bëhet e ditur se sot janë shëruar edhe 28 pacientë, duke e rritur numrin e të shëruarve në 561, ndërsa rastet aktive janë 273.

Rastet e para me COVID-19 u shënuan në vend më 13 mars.